Komisioni për Integrimin Europian miraton një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 19/04/2016

Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar”.

E pranishme në mbledhjen e Komisionit ishte zëvendësministrja e Financave znj. Irena Beqiri, e cila bëri edhe një prezantim të projektligjit.

Pasi shqyrtuan projekligjin, deputetët vijuan seancën e diskutimeve duke e miratuar atë nen për nen dhe në tërësi.

Projektligji synon të arrijë këto objektiva si përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, në mënyrë që të përmbushë kërkesat e përcaktuara në kapitullin 6 të acquis communautaire; Përmirësimin e implementimit të mëtejshëm të ligjit, duke përmirësuar dhe forcuar rolin e mbikëqyrjes së profesionit; Qartësimin e terminologjive ku janë hasur problematika, me synim unifikimin dhe përmirësimin e zbatueshmërisë; Ndryshime operacionale në interes të organeve përgjegjëse kyçe.

Përmirësimi dhe rregullimi i auditimit ligjor të pasqyrave financiare të entiteteve ekonomike ka rëndësi të veçantë, për faktin se, nëpërmjet këtij procesi, sigurojmë pasqyra financiare të besueshme dhe transparante, të cilat janë të domosdoshme për të gjitha palët e interesuara si: administrata shtetërore, sistemi bankar e financiar si dhe vetë bizneset.


Share