Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrton disa çështje të rëndësishme

  • Postuar më, 17/11/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi kërkesën e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, për procedurat e miratimit të kontratave të huamarrjes shtetërore si edhe shqyrtoi projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen “CEZ SHPERNDARJE SH.A”.

Për pikën e parë, relatorja e çështjes znj. Vasilika Hysi komisioni i ekonomisë ka paraqitur një kërkesë për mendim Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut lidhur me huamarrjet shtetërore duke shtuar se: “Sikurse thatë, Komisioni për Ekonominë dh Financat, ka dërguar një shkresë ku kërkon mendim për procedurat e miratimit të kontratave të huamarrjes shtetërore, me argumentin se nuk është e qartë dhe janë përdorur standarde të dyfishta lidhur me ratifikimin e marrëveshje së huamarrjes shtetërore apo të financimit në formën e grandit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeveria apo institucioneve financiare ndërkombëtare. Dy janë pyetjet që shtron komisioni për ekonominë dhe financat. Nëse Kuvendi, duhet të ratifikojë të gjitha marrëveshjet edhe nëse ato janë në përputhje me linjat e buxhetit, pra nuk tejkalojnë kufizimet e ligjit për buxhetin vjetor dhe e dyta është unifikimi i procedurave për miratimin e marrëveshjeve të grantit nga donator të ndryshëm nëse këto marrëveshje duhet të kalojnë apo jo në parlament. Në fakt një shqetësim i tillë ka lindur edhe në komisionin tonë”.

Në fund komisioni vendosi ti paraqes Komisionit për Ekonominë dhe Financat mendimin e relatores dhe të opozitës.


Share