Mblidhet Konferenca e Kryetarëve

  • Postuar më, 17/11/2015

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, u mblodh Konferenca e Kryetarëve, ku u paraqit projektbuxheti për vitin 2016, si edhe projektligjet financiare që e shoqërojnë.

Të ftuar në këtë mbledhje ishin Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Ermonela Felaj. Duke marrë fjalën, z. Cani bëri një prezantim të projektbuxhetit për vitin 2016, si edhe të paketës fiskale për vitin 2016.

Pas prezantimit, anëtarët e Konferencës së Kryetarëve, diskutuan kalendarin e punimeve parlamentare, ku do të shqyrtohet projektbuxheti dhe paketa fiskale. Lidhur me këtë, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta theksoi se kalendari i punimeve parlamentare do të votohet në seancën e ditës së enjte në Kuvend.

“Është e rëndësishme që projektbuxheti dhe projektligjet kanë ardhur. Është e rëndësishme që ditën e enjte Kuvendi të shprehet për Kalendarin. Kemi dy ide nga ana e opozitës lidhur me kalendarin. Të gjithë jemi dakord që ngarkesën kryesore e ka Komisioni për Ekonominë dhe Financat kështu që kryetari i këtij komisioni z. Braçe, të përpiqet të bashkëpunojë me nënkryetarin dhe me përfaqësuesit e tjetër të opozitës. Në qoftë se arrijmë një konsensus për kalendarin, kjo do të ishte një gjë shumë e mirë, në qoftë se jo, atëherë do të shprehet seanca ditën e enjte”,- theksoi Kryetari Kuvendit z. Ilir Meta.


Share