Nënkomisioni “Për të drejtat e njeriut”, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

  • Postuar më, 16/10/2015

Nënkomisioni “Për të drejtat e njeriut”, zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Anëtarët e komisionit u njohën nga afër me kandidaturat që kanë depozituar kërkesën për tu bërë anëtar të autoritetit.

Në fjalën e saj, kryetarja e nënkomisionit znj. Vasilika Hysi, shpjegoi procedurën që do të ndiqet për përzgjedhjen e kandidatëve dhe mënyrën se si do të plotësohet autoriteti. “ Për sqarim do të doja të theksoja, se neni 8 i ligjit e ka si kusht këtë gjë, ku thuhet se: “Autoriteti përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, mbi pozimet që vijnë. Dy anëtarë të propozuar nga Kuvendi i Shqipërisë, një anëtar i propozuar nga Këshilli i Ministrave, një përfaqësues i propozuar nga shoqata e të përndjekurve politik, nga radhët e kandidatëve të mbështetur, nga jo më pak se 28 deputetë dhe një përfaqësues i propozuar nga shoqata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë. Mandati i anëtarit të autoriteti është 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeve vetëm një herë dhe Kuvendi zgjedh Kryetarin nga radhët e anëtarëve”,- theksoi znj. Hysi.

Anëtari i nënkomisionit, deputeti z. Pandeli Majko, shpjegoi rrugën që do të ndjekin kandidaturat deri në votimin e tyre në seancë plenare. “Mendoj se secili nga kandidatët është i qartë sa i përket procedurës, nëse ka lexuar ligjin. Së dyti, ne këtu jemi në zbatim të vendimit të Komisionit të Ligjeve, që bën filtrimin fillestar të të gjithë dokumentacionit, për t’i thënë parlamentit, se nga të gjithë kandidaturat e paraqitura, kush i ka plotësuar dhe kush nuk i ka plotësuar, cilësitë formale që kërkon ligji, gjë që ndodh edhe me seancat dëgjimore për Gjykatën e Lartë, për Gjykatën Kushtetuese, e kështu me radhë. Që në thelb, përcaktohen si filtrim fillestar i garancisë që komisionet përkatëse japin tek deputetët, që ju mos t’ju trajtojnë si njerëz, thjeshtë duke ju parë civil. Në fund fare, këto që ju i keni konsideruar akte formale, nuk janë të tilla, janë akte publike, me qëllim që publiku të kuptojë se në institucione të rëndësishme me kë ka të bëj, cili është formimi i personave që kandidojnë për postet përkatëse dhe se si i plotësojnë ata kushtet ligjore. Në qoftë se vini edhe shikoni, sot ka përfaqësues të medias, e gjithë kjo që po diskutojmë ne sot, nuk është një akt formal. Gjithçka do të regjistrohet dhe do të zbardhet, me qëllim që akti formal që ju sapo thatë, të mos jetë i tillë, po të jetë brenda të gjithë procedurave ligjore. Shpesh aktet burokratike kanë edhe aktet e tyre formale, por në thelb janë zyrtare. Në qoftë se do të keni nderin të bëheni pjesë e trajtimit të dosjeve të sigurimit të shtetit, do të kuptoni se spiuni në radhë të parë është një akt formal, pastaj është edhe një akt moral”,- theksoi z. Majko.

Në fund anëtarët e Komisionit vendosën që të zhvillojnë një seancë tjetër dëgjimore.