Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton dy projektligje të rëndësishme në fushën e kontrollit ekonomik

  • Postuar më, 14/09/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjet “Për inspektimin financiar publik” dhe “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”.

 Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Zëvendësministri i Financave z. Erjon Luçi, Drejtorja e Drejtorisë së Përgjithshme Kontrolluese znj. Kesiana Halili dhe Drejtori i Inspektimit Financiar Publik z. Ilir Meçe.

Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri z. Luçi bëri një prezantim të dy projektligjeve duke theksuar se ato janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin. “Dua t'i bëjë një parashtrim të dy ligjeve sepse janë të lidhur shumë ngushtë me njëri tjetrin në aspektin e funksionit që këto kanë për mirë menaxhimin e financave publike. Këto janë dy ligje shumë të rëndësishme që sigurojnë pikërisht përdorimin me eficencë dhe monitorimin e fondeve ashtu siç dhe parlamenti, ju, miratoni buxhetin e fillimit të vitit. Dhe është linja e parë e mbrojtjes që ka administrata publike për të mbajtur rigorozitetin ndaj zbatimit të ligjeve financiare të vendet. Këto janë ligje që ndërveprojnë shumë me njëri tjetrin sidomos ligji i inspektimit financiar, i cili merr një informacion shumë të rëndësishëm nga auditimi. Por dua të theksoj se ligji i parë i audimitimit është një ligj shumë i rëndësishme që me kalimin e kohës, në praktik po mundohet që të bëhet më i dobishëm për menaxherët që të përmirësojnë outputin në përdorimin e fondeve të tyre”,- theksoi z. Luçi.

Më pas deputetët vijuan diskutimin dhe shqyrtimin e projektligjeve duke i miratuar në parim dhe në tërësi.


Share