Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton disa projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 15/07/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjet “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit”, Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2009, për Projektin “Energji Ujore dhe Siguria e Digave në Kaskadën e Drinit” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”.
Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Ministri i Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri, Zëvendësministri i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, z. Ilir Bejtja, Zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj. Brunilda Paskali si edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Në fjalën e tij përpara deputetëve të komisionit, Ministri Tahiri bëri edhe nj parashtrim të qëllimit të projektligjit duke shprehur se synohet rritja e parandalimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. “Në kuadër të bashkëpunimit të agjencive ligj zbatuese në vend për forimin e kapaciteti në luftën kundër krimit të organizuar dhe drejtësisë penale në tërësi, vijmë për miratim në këtë komision edhe marrëveshjen ndërmjet republikës së Shqipërisë edhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Konkretisht parashikon ndihmë specifike në kuadër të bashkëpunimit për forcimin e rezultateve dhe qëndrueshmërinë e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe drejtësisë penale. Marrëveshja parashikon rritjen e kapaciteteve për të hetuar, për të ndjekur penalisht dhe për të gjykuar veprat penale në vend, dhe veçanërisht krimin e organizuar dhe korrupsionin”,- tha ndër të tjera z. Tahiri.
Më pas komisioni vijoj shqyrtimin edhe të projektligjeve të tjera të cilat u miratuan në tërësi dhe kaluan për shqyrtim në seancë plenare. Ndërsa projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” komisioni e votoi në tërësi duke i kaluar raportin e tij komisionit përgjegjës, Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.