Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 09/07/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku diskutoi disa projektligje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes dhe atë ekonomike.

Në fillim të seancës plenare, në emër të grupit parlamentar të PD-së, deputeti z. Eduard Halimi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës të kërkesës së opozitës dhe ndryshimin e vendimit përkatës të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Z. Halimi akuzoi mazhorancën se për reformën në drejtësi ajo po vepron në mënyrë të njëanshme. “Ju keni vepruar në kundërshtim me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë. Ju nuk keni vullnet për reformën në drejtësi. Ndryshimet për KLD-në i bëtë që të hiqnit ata 3 anëtarë dhe t’i zëvendësonit me militantë. Të njëjtën gjë po bëni me Gjykatën e Lartë. Tërhiquni nga arroganca juaj. Ju nuk keni bërë asnjë strategji”, - tha z. Halimi.

Në emër të grupit parlamentar të PS-së, z. Gramoz Ruçi tha se e respekton nismën e opozitës, por  rregullat nuk mund te ndryshojnë në mes të lojës.

“Nuk jam njohur me përmbajtjen e ndryshimit të vendimit, por me aq sa tha z. Halimi rregullat nuk mund të ndryshojnë në mes të lojës. Tani komisioni përkatës, siç ju e dini, është drejt përfundimit të problematikave që përmban reforma në drejtësi dhe ndryshimi i rregullave të lojës në fund të saj nuk  mund të bëhet. Propozimi i bërë nga opozita do të thotë që ai të mos diskutohet, por të votohet. Për ndryshimin e vendimit ne nuk jemi të gatshëm. Nëse është fjala për të zëvendësuar vendet vakante jemi gati”, - u shpreh z. Ruçi.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, sugjeroi për më shumë kohë në diskutimin e kësaj çështjeje. “Sugjeroj të mos e vazhdojmë këtë debat, se ndoshta do të duhet kohë për ta biseduar më tej këtë problem mes  kryetarëve të grupeve. Ndoshta mund të na duhet të mbledhim dhe Konferencën e Kryetarëve, pasi nga ana proceduriale kemi të bëjmë me një ndryshim të vendimit të Kuvendit. Le t’i lëmë vetes më shumë kohë për ta shqyrtuar çështjen”, theksoi z. Meta.

Më pas, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për miratimin e Strategjisë Ushtarake te Republikës së Shqipërisë”. Ministra e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli sqaroi se Strategjia Ushtarake në thelb përbën një dokument orientues për drejtuesit civilë dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura për zhvillimin e forcës së ardhshme.

“Duke qenë rrjedhë strukturore e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, kjo shërben si pikë referimi për zhvillimin e dokumenteve të tjerë në nivel operativ më pas. Kjo Strategji sjell në emërues të përbashkët pritshmërinë e mjedisit dinamik të sigurisë, me objektivat dhe rolin e FA-ve në këtë mjedis, si dhe burimet në dispozicion të mbrojtjes në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Themeli i forcës së ardhshme, të orientuar nga kjo strategji, është cilësia e kapaciteteve që ajo ofron dhe jo thjeshtë dhe vetëm sasia dhe numrat e saj. Kjo përqasje, synon zhvillimin e një force të profesioniste, të mirë-trajnuar, moderne, të motivuar dhe sipas standardeve të Aleancës. Strategjia Ushtarake sjell ndryshime të qenësishme në konceptin strategjik të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit tonë. Ajo na orienton si të mendojmë, të organizohemi, të trajnohemi, të pajisemi dhe të ndërveprojmë në këtë kontekst të ri”, - tha znj. Kodheli.

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Spartak Braho tha se Strategjia Kombëtare është një dokument në radhë të parë me interes kombëtar afatgjatë, ndërsa ftoi opozitën që ta vlerësojë atë duke e votuar.

“Në emër të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, përshëndes punën dhe reformat e ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, reforma dhe ndryshime të cilat janë të matshme dhe deri tani ka rezultuar mjaftë të suksesshme në mbështetje të Forcave të Armatosura dhe në mbështetje të krijimit të një klime të sigurt kombëtare e rajonale dhe ndihmuese në drejtim të angazhimeve të përbashkëta me NATO-n. Strategjia e Mbrojtjes, paraqet një  dokumenti përmbyllës të këtyre reformave, dokument të cilin Komisioni i Sigurisë Kombëtare do ta ndjekë hap pas hapi për implementimin e tij së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes.  Me lejoni që me këtë rast t’i drejtohem edhe një herë opozitës, që të mos neglizhojë e ngelet pasive si deri tani në shqyrtimin e këtij dokumenti. Por duke marrë parasysh se ai është një dokument në radhë të parë me interes kombëtar afatgjatë, ta vlerësojë atë duke votuar të gjithë së bashku”, u shpreh z. Braho. Ky projektligj u miratua me 73 vota pro, 15 kundër dhe 1 abstenim.

Më pas, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Në fjalën e saj, Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni tha se projektligji i ri krijon të gjitha kushtet e nevojshme për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të territorit si dhe institucionalizon bashkëveprimin ndërmjet autoriteteve kombëtare dhe vendore në fushën e planifikimit.

“Duke e konsideruar procesin e planifikimit një proces  kompleks, që kërkon bashkëveprimin e të gjitha institucioneve kombëtare dhe vendore, për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të territorit, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit ka propozuar ndryshimet si më poshtë: Autoritetet kombëtare dhe vendore mund t'i delegojnë me marrëveshje  njëri – tjetrit përgjegjësi dhe funksione të caktuara, që lidhen me planifikimin dhe kontrollin e zhvillimit të territorit. Gjithashtu, për shërbime të ndryshme që lidhen ngushtësisht me procesin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, autoritetet kombëtare dhe vendore e kanë hapësirën e duhur ligjore për t’i kryer ato bashkërisht apo nëpërmjet kontraktimit të palëve të treta. Për të garantuar disiplinimin dhe vendosjen e rregullave të qartë në fushën e ndërtimit, ku të gjithë qytetarët kanë akses të barabartë në hapësira publike, banesa dhe shërbime publike një tjetër ndryshim i propozuar në Ligjin e Planifikimit, nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, lidhet drejtpërsëdrejti me plotësimin e standardeve të aksesueshmërisë dhe përshtatshmërisë në ndërtim, për personat me aftësi të kufizuar. Të gjitha ndërtimet për banesa, hapësira dhe shërbime publike, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të plotësojnë kërkesat dhe standardet e përshtatshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, sipas dispozitave të përcaktuara në rregulloren për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara”, tha znj. Gjermeni. Kjo nismë u miratua me 73 vota pro dhe 17 kundër.

Me 73 vota pro, asnjë kundër dhe 18 abstenim u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjeve, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërive “S2 ALBANIA”, SH.P.K. dhe “RAPISCAN SYSTEMS” INC, “Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve” dhe “Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë,” miratuar me ligjin nr. 123/2013”, si dhe të tarifës së shërbimit të skanimit”.

Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani bëri të ditur se nga marrëveshja e rinegociuar me kompaninë “Rapiscan” biznesi do të jetë i fituar. “Ajo që është thelbësorë është që është fakti se i është kursyer ekonomisë nga 100 deri në 400 milionë euro, në varësi të ecurisë së numrit të deklaratave doganore. Faktet e deritanishme japin më shumë mundësi se kursimi të jetë më shumë afër 400 milionë eurove”, deklaroi z. Cani.

Ministri sqaroi se për çdo deklaratë doganore, nga përllogaritjet nuk do të paguhet më 39 euro, siç ishte në kontratën e parë, por do të paguhet vetëm 22 euro. Deputeti i PS-së, z. Ervin Koçi, tha se biznesi do të paguajë më pak për shërbimin e skanimit të kontenierëve, ndërsa deputeti i PD-së, z. Edmond Spaho, u shpreh se përmes këtij ndryshimi qeveria po dëmton klimën e biznesit të huaj në vend me ndërhyrjet në kontratat koncesionare. Ky projektligj u mbështet dhe nga grupi parlamentar i LSI-së.

“Dëshiroj ta përshëndes qeverinë për ketë model të paraqitur në ndjekjen e kësaj çështje që mund të rezultonte delikate për nga barra që mund t’i shkaktonte buxhetit në varësi të ecurisë së arbitrazhit ndërkombëtar. Në emër edhe të Grupit Parlamentar të LSI-së, përveçse përshëndes këtë zhvillim, inkurajoj që fryma e qasjes ndaj problematikave të biznesit të jetë pikërisht kjo e këtij rasti”, tha znj. Silva Caka. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian për punësimin dhe inovacionin social (EASI)” u miratua me 81 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi ka dënuar ashpër edhe në seancën e sotme plenare ngjarjet e ndodhura në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, duke theksuar se reagimi i institucionit që ai drejton ishte i menjëhershëm dhe pa asnjë ndjesi politike, duke çuar për ndjekje penale tre punonjësit e përfshirë në videon e transmetuar në media, si dhe duke shkarkuar drejtoreshën e qendrës. “Mora pjesë vetë në një bisedë me të gjithë kolektivin e atij institucioni, shkarkuam drejtoreshën e institucionit. Pashë se nuk kishte ajo administratë asnjë të emëruar politik, ishin të gjitha edukatore me nga 20 vjet, por edukatore të familjarizuara me situatën. Dhe kjo për mua është shqetësuese”, tha z. Klosi, ndërsa theksoi se është i vendosur për të ndërmarrë të gjitha veprimet që gjendja të ndryshojë jo vetëm në atë qendër, por në të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime sociale.

Por ka replikuar deputetja e PD-së, znj. Albana Vokshi, e cila u shpreh se përgjigjja e ministrit për ngjarjen në Shkodër e ka zhgënjyer. “Zhgënjyese përgjigja juaj për ngjarjen në Shkodër. Ngjarja në jetimoren e Shkodrës duhet dënuar, pasi është e papranueshme. Ata fëmijë nuk kanë nevojë vetëm për bukë dhe ujë, por edhe për përkujdesje dhe dashuri”, tha znj. Vokshi.

Por nga ana tjetër, duke iu përgjigjur akuzave të ngritura nga deputetja demokrate, Albana Vokshi, ai ka theksuar se Partia Demokratike nuk mund të bëjë politikë me ngjarje të tilla dhe në mënyrë të veçantë me Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Kuvendi miratoi zëvendësimin e anëtarit të Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z. Armando Subashit, me deputeten znj. Vasilika Hysi.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë nderoi sot me një minutë heshtje viktimat e masakrës së Srebrenicës. Deputeti i PD-së, z. Sali Berisha ftoi deputetët që të përkujtojnë viktimat e këtij genocidi, duke e konsideruar si masakrën më të turpshme.

Në fund të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit, ftoi të gjithë deputetët që të jenë të pranishëm të martën e datës 14 korrik,  ora 11:00 në seancë plenare ku do të mbajë një fjalë përshëndetëse Presidenti i Parlamentit Europian, z. Martin Schulz.

“Ditën e martë, më datë 14 korrik në orën 11:00, të gjithë deputetët janë të ftuar këtu për të marrë pjesë në seancën ku do të përshëndesë Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz”, tha, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Seanca i mbylli punimet në orën 18:37.


Share