Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton disa projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 08/07/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjet “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013n “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat” të ndryshuar” dhe projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin zëvendësministri i Shëndetësisë z. Klodian Rjepaj dhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Z. Rjepaj në fjalën e tij bëri një prezantim të projektligjit “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”. “ Ka pas zhvillime do të thosha edhe në nivel kombëtar, pra të brendshëm, le të themi edhe para vitit 1993 edhe pas vitit 1993, por edhe zhvillime në dy vitet e fundit, të cilat na kanë detyruar që ta ndërtojmë si projektligj, për ta sjellë për miratim. Në radhë të parë, për të rregulluar edhe problematikat që kanë të bëjnë deri më sot me rregullimin e tyre, pasi nuk është një rregullim i plotë për këto produkte, që janë produkte që mund të sjellin edhe dëme në organizimin e njeriut, apo tek gjallesat vertebrore”,- tha z. Rjepaj.
Ndërsa relatori i projektligjit, deputeti z. Vexhi Muçmata theksoi se kjo vjen si nismë e Këshillit të Ministrave. “Komisioni i Ligjeve shqyrton këtë projektligj bazuar në nenet 32, 48 të rregullores së Kuvendit. Ky projektligj ka për qëllim të mbrojë shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve si edhe mjedisin nga organizma të dëmshme nëpërmjet përdorimit të siguritë të produkteve biocide, duke synuar të rregullojë mënyrë e organizimit dhe funksionimit të kontrollit të organizmave të dëmshme për shëndetin publik në mjediset publike dhe private nëpërmjet përdorimit të produkteve biocide”, - tha z. Muçmata.
Më pas deputetët e votuan në parim dhe në tërësi këtë projektligj, duke e kaluar për shqyrtim në seancë plenare. Deputetët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan në tërësi edhe projektligjin Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat” të ndryshuar”, ndërsa projektligji tjetër “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” u shty për shqyrtim në mbledhjet e ardhshme.
Komisioni votoi gjithashtu në tërësi edhe projektligjin “Për turizmin”.