Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton disa ligje të rëndësishme në fushën ekonomike
- Postuar më, 06/07/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjeve,ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues,dhe shoqërive “S2 ALBANIA”,SH.P.K.,dhe “RAPISCAN SYSTEMS”.INC, “Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve” dhe “Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë,, miratuar me ligjin nr. 123/2013”, si dhe të tarifës së shërbimit të skanimit”; “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian për punësimin dhe inovacionin social (EASI)” dhe projektligji “Për turizmin”.
Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ishte Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani, Zëvendësministrja e Financave znj. Irena Beqiraj, Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë znj. Bardhylka Kospiri dhe Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Ervin Mete.
Gjatë fjalës së tij përpara deputetëve, Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani bëri një parashtrim të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjeve,ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues,dhe shoqërive “S2 ALBANIA”,SH.P.K.,dhe “RAPISCAN SYSTEMS”.INC, “Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve” dhe “Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë,, miratuar me ligjin nr. 123/2013”, si dhe të tarifës së shërbimit të skanimit” duke theksuar se nëpërmjet kësaj nisme do të bëhet një reduktim shpenzimesh nga bizneset. “Tani nëse duam të bëjmë një llogaritje të dimë se sa merr me kontratën e re, nëse do të duam të bëjmë një llogaritje se sa do të merrte me kontratën ekzistuese, ose me ligjin ekzistues, mund të them që në fillim që nivelin mund të jetë edhe më i lartë, por kursimi nga ndryshimi që në kontratën e re është nga 100 deri në 180 milion euro. Pra nuk mund të shkojë kursimi nga negociatat poshtë 100 milion euro, kurse ne kemi zgjedhur një marzh e kuptohet është në varësi të nivelit të rritjes të deklaratave nga vitit në vit por në vlera konservatore, kursimi është nga 100 milion deri në 180 milion euro”,- tha z. Cani.
Pas fjalës së Ministrit, deputetët vijuan seancën e pyetjeve dhe të diskutimeve dhe në fund votuan pro projektligjin. Anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut votuan pro gjithashtu edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian për punësimin dhe inovacionin social (EASI)” . Nërsas projektligji "Për turizmin" u vendos që të shqyrtohej në mbledhjet pasardhëse.