Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Znj. Arta Dade merr pjesë në konferencën e OSBE-së “Lufta kundër nxitjes dhe rekrutimit të luftëtarëve të huaj terroristë”
- Postuar më, 02/07/2015
Zj. Arta Dade, Kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, mori pjesë në konferencën e OSBE-së “Lufta kundër nxitjes dhe rekrutimit të luftëtarëve të huaj terroristë”, e cila u zhvillua në selinë e OSBE-së në Vjenë më 30 qershor-1 korrik, ku ishte e ftuar si ligjëruese (keynote speaker). Në këtë konferencë morën pjesë mbi 300 ekspertë, diplomatë dhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe mediat. Në të mbajtën fjalën e tyre Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Brëndshme të Serbisë Nikolic (si kryesues i radhës i OSBE-së), Zëvendësministri i Jashtëm për antiterrorizmin i Rusisë Siromolotov dhe SP i OSBE-së Zannier. Gjatë dy ditëve të konferencës në diskutimet dhe referimet e ligjëruesve të ftuar u trajtuan çështjet mbi prirjet dhe dinamikat në nxitjen dhe rekrutimin e FTF, praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra nga lufta kundër rekrutimit, identifikimi dhe trajtimi i individivë të rrezikuar nga radikalizimi dhe rekrutimi si FTF dhe u diskutua mbi intensifikimin e masave për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, që con në terrorizëm, por duke mbrojtur dhe ruajtur njëkohësisht liritë themelore dhe të drejtat e njeriut. Shumë nga diskutuesit sollën përvojat e shteteve të tyre në trajtimin e kësaj problematike. Znj.Dade mbajti fjalën e saj në sesionin e parë të konferencës ku u diskutua mbi tendencat dhe dinamikat në nxitjen dhe rekrutimin e FTF. Ajo nënvizoi nevojën e trajtimit siç duhet të këtij fenomeni nga vendimmarrësit politikë, ligjvënësit dhe institucionet ligjzbatuese, duke u ndalur edhe në faktorët kryesorë, që çojnë në rekrutimin dhe radikalizimin e FTF. Znj. Dade vlerësoi rolin e OSBE-së në përballimin e sfidave të reja në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke u mbështetur në angazhimin dhe përfshirjen në luftën kundër terrorizmit, të rinisë, grave dhe shoqërisë civile me një fokus të veçantë te nxitja e dialogut interkulturor dhe ndërfetar. Znj.Dade informoi pjesëmarrësit mbi strategjinë e re kombëtare të sigurisë, hapat e bëra dhe masat e marra nga Qeveria shqiptare në luftën kundër terrorizmit, duke u ndalur në nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar: dypalësh, shumëpalësh e rajonal, si dhe nxitjen e kapaciteteve të agjensive ligjzbatuese. Ajo vlerësoi rolin e Institucione fetare në vendin tonë, si një nga pasuritë më të vlefshme të kohezionit tonë shoqëror dhe kombëtar dhe një forcë shumë e madhe në betejën pa kompromis kundër terrorizmit. Znj.Dade informoi mbi mbajtjen e Samitit Rajonal të Ballkanit për Luftën kundër Ekstremizmit të dhunshëm, që u zhvillua në Tiranë më 19-20 maj 2015, si një hap me tej në zbatimin e axhendës për Samitin e ardhshëm që do të zhvillohet gjatë Sesionit të Përgjithëm të OKB-së në Nju Jork këtë shtator.