Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
- Postuar më, 01/07/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cilësoi këtë ligj si një nga reformat më të pa politizuara, që ka në qendër studentin, duke siguruar një arsim të lartë cilësor.
“Ligji i ri sjell një mori ndryshimesh në frymën e masave të ndërmarra nga Qeveria deri tani. Kryefjalë mbetet cilësia në institucionet tona të arsimit të lartë me të cilën ne nuk bëjmë kompromis. Ligji ndryshon skemën e financimit duke futur konceptim modern të financimit me bazë performancën. Shteti do jetë gjithnjë e më shumë financues i arsimit të lartë, por këto financa taksat e qytetarëve shqiptarë duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Një skemë moderne që priret nga treguesit e performancës së universiteteve tona, do t’i shtyjë ata të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin dhe të gjenerojnë gjithnjë e më shumë kërkim shkencor, bashkëpunim ndërkombëtar, etj.”, tha Nikolla.
Ministrja theksoi ndër të tjera, se ky ligj nuk çon para publike në institucionet private, por mundëson rritjen e financimit publik e privat drejt arsimit publik.
“Ky ligj nuk i detyron Institucionet e Arsimit të Lartë të kthehen në Institucione të Arsimit të Lartë të Publik të Pavarur (IALPP). Ky është një nocion inovator dhe një mundësi e re për çdo institucion, i cili pas një seti të përcaktuar rregullash do të mund të kërkojë të kthehet në IALPP, ku momenti i rëndësishëm është heqja dorë nga fitimi”, tha Nikolla.
Duke përmendur ndryshimet që sjell ky ligj, Ministrja e Arsimit tha se ligji bën më të drejtë financimin publik për studentët duke ju gjendur pranë studentëve në nevojë me një fond të posaçëm bursash për të gjithë kategoritë që për pamundësi financiare nuk ndjekin dot studimet, për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe mbështet studentët ekselent.
Një tjetër ndryshim që Ligjin i ri i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor është delegimi drejt universiteteve publike një sër vendimmarrjesh të rëndësishme që sot, i kryen Ministria e Arsimit dhe Sportit si: si numri i studentëve që do të pranohen, kriteret e përzgjedhjes, tarifat e studimit, numrin e stafit akademik.
Në lidhje me kërkimin shkencor, ndryshimi që ligji i ri sjell mundëson që ai të jetë një tregues i rëndësishëm të matjes së cilësisë dhe shndërrohet në një kriter të rëndësishëm për financim.
Pas diskutimeve, Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.