Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratojnë disa projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 30/06/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton disa projektligje të rëndësishme në fushën ekonomike Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjet “Për propozimin e projektligjit “Për eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen nga Ministri i Financave”, “Për ratifikimin e marrëveshjes së dëmshpërblimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për garancinë e bazuar në politika për financat publike në Shqipëri, dhe të marrëveshjes së huasë me afat, ndërmjet republikës së Shqipërisë, që vepron nëpërmjet Ministrisë së Financave, si huamarrës, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si garantues, dhe DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si huadhënës fillestar, të rregulluar nga DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si rregullues kryesor i mandatuar, DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si agjent, dhe , DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si agjent dokumentacioni”, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për punët e Komunitetit IV të Fondit Shqiptar të Zhvillimit projekti “Zhvillimi i alpeve shqiptare dhe zonave bregdetare” dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013n “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat” të ndryshuar”. Të pranishëm në mbledhjen e komisionit, ishin Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Ervin Mete dhe Drejtori i Fondit të Zhvillimit Shqiptar z. Benet Beci. Në fjalën e tij Ministri i Financave bëri një parashtrim të dy marrëveshjeve financiare që u miratuan në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut duke shtuar se synimi kryesor i tij ishte përmirësimi i kreditimit. “Këto janë dy projektligje të veçantë, por që bëjnë një paketë, një paketë huamarrje në tregun ndërkombëtar. Ajo që do të doja të theksoja që në fillim për të shmangur çdo keqkuptim, çdo interpretim, për të mbyllur çdo hapësirë, që ne nuk po prekim nivelin e borxhit. Ne do të ruajmë kërkesat e ligjit në nivelin e deficitit dhe në nivelin e borxhit që ka përcaktuar Kuvendi. Pra me këto dy projektligje që ne marrim hua, nuk bëjmë gjë tjetër veç se zëvendësojmë në rastin e eurobondit ekzistuesin, i cili maturohet në fillim të muajit nëntor, me një eurobond të ri. Po kështu edhe lidhur me huan e garantuar nga Banka Botërore prej 250 milion euro, ne përsëri nuk është se shtojmë borxhin, por zëvendësojmë borxhin nga tregu i brendshëm me borxh nga tregu i jashtëm. Të dyja këto në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veç se plotësojnë nevojat e ekonomisë për likuiditet, në kuadrin e të gjithë aspekteve ligjore qoftë të buxhetit, qoftë edhe të strategjisë afatmesme të menaxhimit të borxhit publik dhe lënë hapësirë për biznesin për tu kredituar. Pra qeveria tërhiqet nga tregu i brendshëm për në tregun e jashtëm në mënyrë që të lejë sa më shumë hapësirë biznesit për të marrë kredi që siç e dinë të gjithë na mungon këto kohë”,- tha z. Cani. Më pas deputetët vijuan shqyrtimin edhe të projektligjeve të tjera që ishin në rendin e ditës për tu miratuar. Konkretisht komisioni votoi në parim dhe në tërësi projektligjet “Për propozimin e projektligjit “Për eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen nga Ministri i Financave”, “Për ratifikimin e marrëveshjes së dëmshpërblimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për garancinë e bazuar në politika për financat publike në Shqipëri, dhe të marrëveshjes së huasë me afat, ndërmjet republikës së Shqipërisë, që vepron nëpërmjet Ministrisë së Financave, si huamarrës, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si garantues, dhe DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si huadhënës fillestar, të rregulluar nga DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si rregullues kryesor i mandatuar, DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si agjent, dhe , DEUTSCHE BANK AG, dega e Londrës, si agjent dokumentacioni”, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për punët e Komunitetit IV të Fondit Shqiptar të Zhvillimit projekti “Zhvillimi i alpeve shqiptare dhe zonave bregdetare” duke i kaluar për miratim në seancë plenare. Ndërsa projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013n “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat” të ndryshuar” u votua në parim duke e shtyrë shqyrtimin në tërësi në mbledhjet e ardhshme. Tre projektligjet e para u shqyrtuan dhe u miratuan edhe nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.