Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton një projektligj të rëndësishëm për legalizimet

  • Postuar më, 09/06/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar” dhe projektvendimin për miratimin e strukturës së ILDKPKI-së .

I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale z. Artan Lame.

Projektligji ishte shqyrtuar më parë në parim në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e njeriut dhe deputetët e miratuan atë në tërësi duke e kaluar për shqyrtim në seancë plenare.

Projektligji synon realizimin e ndryshimeve në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, për të arritur një rregullim më të mirë ligjor të procesit të legalizimit, duke marrë në konsideratë të drejtat dhe interesat e kategorive të caktuara të subjekteve, të cilat aktualisht gjenden në kushte të disfavorshme, në raport me përcaktimet e ligjit të sipërcituar. Gjithashtu, një tjetër pikësynim i projektligjit lidhet me përmirësimin e aspekteve administrative të procesit, duke riformuluar disa dispozita/norma, gjatë aplikimit të të cilave, nga praktika e punës së ALUIZNI-t, janë evidentuar paqartësi dhe qëndrime divergjente në interpretim.

Objektivi kryesor i nismës për hartimin e këtij projektligji konsiston në zgjerimin e fushës së zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, duke përfshirë në proces edhe ndërtimet e ngritura në truall në pronësi shtetërore apo të të tretëve, pas datës 15.1.2009, e cila deri më tani shërben si kufi kohor për mundësinë e legalizimit të kësaj kategorie objektesh. Ky kufi do të spostohet në datën 27 qershor 2014 në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr.50/2014, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”. Sikurse u përmend edhe më sipër, objektiv tjetër është ai i rritjes së qartësisë së ligjit, çka do të rezultojë në rritje të frytshmërisë në veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara me zbatimin e tij.

Deputetët e komisionit votuan edhe projektvendimin për miratimin e strukturës së ILDKPKI-së.


Share