Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 04/06/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku diskutoi disa projektligje që konsistonin në ratifikimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin e Unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” (COSME) 2014 – 2020”, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Bujar Derveni, theksoi se kjo është një marrëveshje e rëndësishme e cila do t’i sjellë përfitime ekonomisë shqiptare.

“Ne si deputet të kësaj legjislature besoj do të votojnë bashkërisht projektligjin ‘Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin e Unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” (COSME) 2014 – 2020”. Ky program është absolutisht një nga programet më prestigjioze dhe më të besuara në Bashkimin Europian për zhvillimi në ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Çdo zhvillim i këtij sektori kaq vital të ekonomisë shqiptare është një nismë për t’u përshëndetur e stimuluar në maksimizimin e përfitimeve prej tij”, - tha z. Derveni.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për paradhënie për përgatitjen e projektit të propozuar “Shërbime publike me në qendër qytetarin” foli Kryeministri z. Edi Rama, i cili theksoi se nëpërmjet kësaj marrëveshje do të ofrohen më shumë shërbime cilësore për qytetarët.

“Unë besoj se ky është një projekt me rëndësi themelore dhe i hap rrugë një tjetër reforme transformuese dhe me plot gojën ndan Shqipërinë nga një epokë e gjatë dhe jashtëzakonisht sfilitëse për qytetarët që marrin shërbime publike në një epokë që do të transformohen rrënjësisht. Jam krenar që arritëm në një kohë të shkurtër të përfshijmë BB-në dhe BE-në në draftimin e një projekti inovativ, që adreson në mënyrë përfundimtare çështjen shumë të rëndësishme dhe plagën shumë të madhe të korrupsionit në shërbimet publike, duke adresuar edhe të gjithë atë proces që sot u kushton qytetarëve kohë, para, nerva dhe në fund të shumë viteve që s’arrijnë dot të zgjidhin problemin i kthehet edhe në një dëshpërim të madh. Me këtë projekt do të transformojmë shërbimet që sot 134 institucione që japin shërbime prej të cilave 56 % shërbime në sportele të kthehet në një shërbim të cilësisë më të lartë dhe në një model”, - tha z. Rama në lidhje me këtë projektligj.

“Kemi trashëguar një shtet që vetëm i tillë s’mund të quhet, që s’ka një bazë të dhënash të besueshme të organizuar dhe të integruar. Çka do të thotë se puna që kemi filluar është kalimi nga një bazë të dhënash pa inventar në dosje, në sirtar, në dollap me shumë mangësi në një bazë të dhënash dixhitale për shërbimin. Po bëjmë riinxhinierimin e gjithë strukturës së shërbimeve me ekspertë të huaj e shqiptarë për të shkurtuar numrin e licencave, të vërtetimeve, të dokumenteve, që i kërkohen sot njerëzve, plotësisht i redaktueshëm. Po punojmë për të siguruar lidhjen e bazës së të dhënave në mënyrë të integruar, jo thjesht një bazë të dhënash për një shërbim, por për 6 shërbime e t’i japim mundësi shtetit të ketë dijeni të plotë për të gjitha aspektet që lidhen me një pronë, numër pronarësh e kështu me radhë. Ligji për firmën elektronike, në bazë të kalimit të këtij ligji dhe përcaktimit të procedurave të nevojshme koha kur certifikata do të merret në shtëpi pa pasur nevojë për të shkuar në njësinë bashkiake do të jetë shumë e shpejtë”, u shpreh kryeministri z. Rama”, - deklaroi Kryeministri.

Kuvendi diskutoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Deputetja znj. Arta Dade tha se ky projektligj është në vazhdimësi të garantimit të informacionit të klasifikuar.

“Siguria cenohet jo vetëm nga mungesa e informacionit të klasifikuar, siguria kërcënohet dhe nga çështjet sociale dhe sigurisht kjo mazhorancë e ka në vëmendjen të marr masa konkrete për jetën e qytetarëve”, - tha znj. Dade.

Kuvendi zhvilloi edhe interpelancën me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati kërkuar nga deputetja znj. Mesila Doda, lidhur me zhvillimet tragjike të ndodhura ditët e fundit në Maqedoni.

Deputetja e PD-se Mesila Doda tha se shqiptarët e pafajshëm po vuajnë dënime në burgjet maqedonase dhe duhet një sqarim për ketë.

“Kumanova është një lojë e ndyrë për të larguar vëmendjen nga përgjimet. Shqiptarët e pafajshëm po vuajnë dënimet në burgjet e Maqedonisë. Ngjarjet në Kumanovë kërkojnë hetim ndërkombëtar. Këtë hetim ta kërkojë edhe Parlamenti shqiptar me një rezolutë”, - tha znj. Doda.

Në fjalën e tij, z. Bushati theksoi se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit nga pala maqedonase është e domosdoshme.

“Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit nuk është as kusht, as bllokadë, por normë që vetë Maqedonia e ka firmosur. Ndërsa tendencat për t’i portretizuar zhvillimet në Maqedoni si tendenca të revolucioneve me ngjyra nuk janë në shërbim dhe në funksion të së ardhmes së Maqedonisë, por janë dashakeqe. Elementet e zhvilluara të deritanishme nuk japin mbështetje për teori konspirative të revolucioneve me ngjyrë apo pa ngjyrë në Maqedoni. Tendencat për t’i portretizuar zhvillimet në Maqedoni si tendenca të revolucioneve me ngjyra nuk gjejnë vend në vendet Ballkanike. Çdo tendencë për t’i portretizuar zhvillimet në Maqedoni si tendenca të revolucioneve me ngjyra nuk janë në shërbim dhe në funksion të së ardhmes së Maqedonisë, por janë dashakeqe”,- tha z. Bushati.

Në fund të diskutimeve, me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, votimi i projektligjeve u shty për seancë e radhës.