Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjekte juridike dhe fizike”.

  • Postuar më, 03/06/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjekte juridike dhe fizike”. Nga kjo amnisti pritet të përfitojnë rreth 30 mijë biznese, të cilëve u falen në total 3 miliardë lekë. Anëtarët propozuan që gjobat të cilat janë në proces apelimi administrativ apo në proces gjyqësor falen sipas përcaktimeve të nenit 1 të këtij ligji, nga data e hyrjes së tij në fuqi. Deputeti i PD-së, z. Ridvan Bode kërkoi që ky lehtësim fiskal të përfshijë jo vetëm gjobat, por edhe kamatëvonesat, si dhe të zgjatet afati kohor edhe në këtë vit. Sipas z. Bode, kjo falje duhet të jetë në masën 100 %. Më pas, anëtarët e komisionit miratuan dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet RSH dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për paradhënie për përgatitjen e projektit të propozuar “Shërbime publike me në qendër qytetarin” si dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin e Unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” (COSNE) 2014 – 2020”. Deputetët miratuan në komision edhe projektrezolutën e raportit të veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, për vitin 2014.