Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon seancë dëgjimore me rektorët e disa universiteteve

  • Postuar më, 03/06/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me rektorët e universiteteve për projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, propozim i Këshillit të Ministrave.

Të pranishëm në mbledhjen e komisioni ishin rektorët e universiteteve: Qendra e Studimeve Albanologjike; Universiteti Politeknik i Tiranës; Universiteti Bujqësor i Tiranës; Universiteti i Mjekësisë, Tiranë; Universiteti i Arteve, Tiranë; Universiteti "Luigj Gurakuqi", Shkodër; Universiteti "Aleksandër Moisiu", Durrës; Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë, dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit Arbjan Mazniku.

Z. Jorgaq Kaçani, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës në fjalën e tij theksoi se: “Parashikohen krijimi i disa strukturave shtetërore të cilat mund të ndikojnë në shtimin e procedurave burokratike, rritjen e kostove financiare në buxhetin e shtetit për arsimin e lartë dhe cenimin e autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë, gjykojmë që numri i tyre duhet të reduktohet. Me këto vështirësi që kemi, me këtë papunësi totale që kemi të marrë studenti kredi dhe ta futësh borxh pa filluar akoma shkollën, duhet të jemi shumë të kujdesshëm”

Ndërsa rektori i Universitetit të Arteve z. Petrit Malaj tha përpara komisionit se: “Ne nuk mund të sigurojmë të ardhura 50% të buxhetit, asnjëherë. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë, pra ne nuk mund të kemi shumicën e Këshillit të Administrimit. Unë mendoj se autonomia e universitetit do të jetë më e madhe”

Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, z. Ardian Marashi, dha qëndrimin e tij për projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. “Dobëson pozitat e këtij institucioni, madje mund të vërë në pikëpyetje edhe formën e ekzistencën e këtij institucioni në të ardhmen. Një institucion i arsimit të lartë që do të humbë në konkurrencën e tregut universitar, do të mjaftojë një VKM për të shpallur falimentimin e këtij institucioni ashtu sikurse u shpall falimentin e disa universiteteve private një vit më parë”,- tha z.Marashi.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, z. Arbjan Mazniku, theksoi në mbledhjen e komisionit se: “Nuk i heq ligji të drejtën fakulteteve që të kenë këshillin e fakultetit, por i jep lirinë që përveç kësaj zgjedhjeje të ketë mundësinë të zgjedhin 3 apo 4 komisione të posaçme me detyra të veçanta dhe brenda asaj suaze detyrash, të ketë detyra ezaurative përfundimtare”.