Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi në tërësi projetligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”.

  • Postuar më, 02/06/2015

Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projetligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”. Zëvendësministrja e Ministrisë së Çështjeve Sociale, znj. Gentiana Sula, kërkoi që të shtyhet afati për faljen e 80% të gjobave të papaguara nga personat dhe subjektet. “Afati i fundit ishte parashikuar për në 31 mars të këtij viti, por ne kërkojmë shtyrjen deri në shtator. Qëllimi është lehtësimi i subjekteve nga barra e gjobave të prapambetura të kontributeve shoqërore. Deri tani numërohen 38 mijë biznese me detyrime të papaguara për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”, tha z. Sulaj. Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Ali Emini tha se do falen vetëm gjobat dhe jo kamatvonesat.“Shuma e gjobave arrin ne 5.7 miliarde lekë. Detyrimet e kamatvonesave arrijnë ne 1.5 miliarde lekë, detyrim ky që bizneset duhet ta paguajnë për mosderdhje të kontributeve”, u shpreh Emini. Deputetja e Partisë Demokratike, znj. Albana Vokshi, vlerësoi lehtësimin e barrës fiskale, por sipas saj është akoma i cunguar dhe se diskutimi i këtij ligji në këtë periudhë bëhet vetëm për efekt zgjedhor.