Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejta shqyrtoi dhe miratoi një projektligj të rëndësishëm
- Postuar më, 04/05/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejta shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e protokollit të 16-të të Konventës “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”. Të pranishëm në mbledhje ishin ekspert nga Ministria e Drejtësisë. Në fjalën e saj, relatorja e projektligjit, deputetja znj. Vasilika Hysi theksoi në fjalën e saj se ky projektligj ndalet në gjashtë pika kryesore. “Në fakt protokolli i 16 i Konventës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut është paraqitur në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Unë do të doja të ndalesha në gjashtë momente, ose risitë që sjell ratifikimi i këtij protokolli. Është për transparencë, jo vetëm për qytetarët, por në radhë të parë për profesionistët. Së pari i jepet mundësi gjykatave më të larta, dhe ne duhet të përcaktojmë këtu kush do të jenë gjykatat më të larta, që do të kenë të drejtë të kërkojnë interpretim ose kërkojnë opinione nga Gjykata e Strasburgut lidhur me zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të parashikuara në konventë dhe në protokollin shtesë të konventës. Kërkesa duhet të jetë për çështje parimor dhe jo për çështje rutinë që mund të ketë në praktikën e vet gjykata më e lartë. E dyta, e drejta ose diskreticion i Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut që përmes 5 gjyqtarëve të Dhomës së Madhe të japi në opinion për çështjen që është në shqyrtim në Gjykatën më të Lartë Kombëtare. Gjithashtu komisionerit të Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut i njihet e drejta që të paraqes në Gjykatën e Strasburgut opinione, por njëkohësisht të dëgjohet në këtë gjykatë. Nga ana tjetër protokolli përcakton dhe rregullohet procedurale se nëse gjykata ka të drejtë në çdo rast kur i kërkon gjykata më e lartë e një vendit opinion apo jo. Në fakt janë gjyqtarët e dhomës së madhe, ata që vendosin nëse duhet apo jo t’i japin opinion i cili është rekomandues, nuk është detyrues. Dhe e fundit fare, Gjykata vendase kanë të drejtë të njihen me opinionin e shumicës dhe të pakicës së Gjyqtarëve të dhomës së madhe. Në fakt protokolli e ka lënë të hapur. Ne duhet të përcaktojmë nëse do ti njihet kjo e drejtë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë apo dhe gjykatave të tjera. Nëse doni mendimin tim, unë sugjeroj që kjo e drejtë duhet ti njihet Gjykatës Kushtetuese që merret me kontrollin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Por ne kemi shpesh dhe Gjykatën e Lartë që nëpërmjet vendimeve unifikuese, unifikon praktikën, pra dhe ajo merret me zbatimin e Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut. Kjo çështja na lihet ne në diskreticion që do ta ratifikojmë këtë konventë dhe kjo gjë duhet sqaruar”,- tha znj. Hysi.
Në përfundim deputetët votuan pro projektligjit duke e kaluar për shqyrtim në seancë plenare.