Nënkomisioni Për të Drejtat e Njeriut diskutoi projektligjin “për një shtesë në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 ‘Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar” propozuar nga deputetja e PD-së, znj. Majlinda Bregu

  • Postuar më, 24/04/2015

Nënkomisioni Për të Drejtat e Njeriut diskutoi projektligjin “për një shtesë në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 ‘Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar” propozuar nga deputetja e PD-së, znj. Majlinda Bregu.

Të ftuar ishin ekspertë të fushës, juristë e profesionistë që janë njohës të mirë të kodit civil, por edhe grupet e interesit dhe konkretisht përfaqësues dhe ekspertë të medias, Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, përfaqësues të AKEP, të AMA-s, të OSBE, të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pedagogë, përfaqësues nga shoqatat e gazetarëve, etj.

Kryetarja e Nënkomisionit, znj. Vasilika Hysi kërkoi që të ketë një debat sa më të hapur dhe me të gjitha grupet e interesit për të pasur një konsultë sa më të gjerë për këtë ndryshim ligjor që synon rregullimin e etikës së komunikimit në faqet online.

Ndryshimi i propozuar nga znj. Bregu ka të bëjë me përgjegjësinë për publikimet online të komenteve që cenojnë nderin, personalitetin ose reputacionin e personit. Sipas këtij drafti, administratori i një portali elektronik, përfshirë faqet zyrtare të medias së shkruar ose vizive, është i detyruar të pengojë publikimin e çdo komenti që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi. Mospengimi i publikimit të komentit që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi sipas detyrimit ligjor të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, e ngarkon administratorin e portalit elektronik me përgjegjësi për demin e shkaktuar.

Nëse shkruesi i komentit është një person i identifikueshëm, përgjegjësia e administratorit të portalit elektronik është solidare së bashku me të. Nëse shkruesi i komentit është një person i paidentifikueshëm, atëherë me përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar ngarkohet vetëm administratori i portalit elektronik që ka lejuar publikimin e komentit apo nuk ka marrë masat e nevojshme për fshirjen në kohë të tij.

Duke folur gjatë kësaj mbledhjeje znj. Bregu bëri me dije se evoluimi i shpejtë i teknologjisë dhe përhapja gjithnjë e më e madhe e kësaj forme të re komunikimi e ka shtyrë që të propozojë përcaktimin e një lloj përgjegjësie për portale e medieve online dhe për të shmangur publikimin e komenteve që e kalojnë cakun normal të kriticizmit, duke qenë komente vulgare me natyrë denigrues dhe fyese që cenojnë personalitetin dhe dinjitetin e individit.

Mbledhja ka vijuar me debate dhe diskutime mes përfaqësuesve të institucioneve të ftuara dhe atyre të shoqërisë civile. Këtë të fundit kanë shprehur shqetësimin për cenimin e mundshëm që ky ndryshim ligjor mund t’i bëjë lirive dhe të të drejtave të njeriut.

Znj. Hysi u shpreh se synimi i këtyre diskutimeve dhe konsultave është pikërisht respektimi i lirisë së shprehjes, lirinë e medias dhe të drejtën e informimit.

“Nisma e koleges Bregu që është diskutuar në Komision e Ligjeve,është dëgjuar dhe znj. Bregu, janë adresuar një sërë pyetjesh dhe njëkohësisht i kam kërkuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve për ta ndërprerë diskutimin e mëtejshëm, pasi kisha nevojë për një konsultim në nivel ekspertësh”, tha znj. Hysi, duke ftuar të gjitha grupet e interesit që të bëhen pjesë e diskutimeve për këtë nismë të deputetes znj. Majlinda Bregu se si mund të rregullohet më mirë për të adresuar këtë shqetësim