Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrton projektligjin “Për të drejtën e Informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

  • Postuar më, 15/04/2015

Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrtoi projektligjin “Për të drejtën e Informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Mirëqenies Sociale e Rinisë paraqitën risitë e këtij projektligji. Kryetarja e Komisionit, znj. Albana Vokshi shprehu qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. “Në emër të forcës tonë politike, të Partisë Demokratike, ne  shprehemi kundër sepse nuk bën procesin e lustracionit i cili është i domosdoshëm për t’u ndarë njëherë e mirë nga krimet e komunizmit”, tha znj. Vokshi. Nënkryetarja e Komisionit, znj. Klodiana Spahiu shprehu qëndrimin në emër të mazhorancës. “Në emër të forcës politike ne jemi pro këtij projektligji. Përfaqësuesit e Ministrisë e bënë shumë të qartë argumentin e  faktit që ky është një hap që fillon me informimin dhe me transparencën dhe argumentimi i drejtorit për faktin që ky lustracion duhej bërë në një periudhë të caktuar kohore dhe tashmë nuk e ka më vlerën”, tha znj. Spahiu. Pas diskutimeve, projektligji “Për të drejtën e Informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” u miratua me votat e mazhorancës.