Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 15/04/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim projektligjin “Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë” dhe shqyrtoi raportin vjetor për veprimtarinë e KQZ për vitin 2014.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike znj. Milena Harito, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Lefterije Luzi dhe nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Denar Biba.

Ministrja znj. Harito bëri prezantimin e projektligjit “Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë” ku solli në dukje dhe risit e tij. “Do të doja t’ju shpjegoja që në fillim që ky ligj merret me shërbimin postar si të tillë. Pra Posta Shqiptare, përveç shërbimit postar, kryen edhe funksione të tjera, siç janë shërbimet financiare, pagesa me të tretë, dhe të tjerë por që nuk rregullohen nga ky ligj por rregullohen nga ligjet e sektorëve të veçantë për shembull shërbimet financiare sipas licencave që jep Banka e Shqipërisë. Pra këtu flasim vetëm për ligjin që rregullon shërbimet postare. Që nga vitit 2012 Progres Raporti në përputhje me direktivat evropian kërkon liberalizimin e tregut postar. Për këtë arsye janë bërë disa hapa, pra si reduktimi i asaj që quhet zona e rezervuar etj, dhe sot këtu jemi me ligjin e ri pas 16 vjetësh për të rregulluar nj sektor i cili ka ndryshuar në mënyrë galoponte edhe për arsye të futjes masive të shërbimeve elektronike të cilat kanë kufizuar qarkullimet që bëheshin më parë vetëm me letra. Ky ligj është në përputhje me praktikën e Bashkimit Evropian, përcakton institucionet përgjegjëse për rregullimin e sektorin postar, të drejtat detyrimet e ofruesve operatorëve dhe përdoruesve të shërbimeve postare. Ka si qëllim sigurimin e ofrimit të shërbimit universal postar në të gjithë territorin e Shqipërisë, mbrojtjen e interesave të përdoruesve dhe sigurimit të trajtimit të barabartë të tyre si dhe nxitjen e konkurrencës së lirë midis operatorëve me një qëllim të vetëm, përmirësimin e cilësisë së shërbimit”,- tha znj. Harito.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ngriti si shqetësim shërbimin e adresave në Shqipëri. “Ne sot kemi në sistemin e drejtësisë kemi një problem shumë të madh, problemin e njoftimit të palëve në proces. Ndoshta është një nga pikat kyçe që reflekton drejtë për së drejti në aksesin e dhënies së drejtësisë, në shpejtësinë e gjykimit e të hetimit, ashtu si kundër mendoj që ky është një problem jo i vogël edhe për qytetarët për shkak të çështjes së adresave, nevojat që kanë, letërkëmbimeve etj. Ashtu si një pjesë e mirë e ligjeve, e lidhin sanksionin ose njoftimin për sanksion me njoftimin e personit, gjë e cila në një pjesë dërrmuese realizohet nga shërbimi postar dhe që më pas krijon efekte në marrëdhëniet ankimore dhe në marrëdhëniet juridiko civile me kompanitë përkatëse. Ajo që mesa duket është çështja e adresave dhe se si mund tu ofrojë shërbimi postar më me cilësi. Ky ligj, i jep një shtytje dhe në tërësi ky problem meqenëse ju keni ardhur ta mbroni këtë, pavarësisht se lidhja nuk është e drejtë për drejtë. Se po flasim për sukseset e postës Shqiptare, se ka vite kjo histori suksesesh, mbi 10 vjet, ndërkohë që në një shërbim normal në çdo vend normal të Evropës, njoftohet në kohë palët ndërgjygjëse. Është një nga gjërat më elementare, ne këtë nuk e zgjidhim dot sot në hetim dhe në gjykim, për shpejtësinë dhe për aksesin ën drejtësi”,- tha z. Xhafaj.

Në përgjigje të shqetësimit të z. Xhafaj, ministrja Harito theksoi se do të punohet për të bërë një fotografim të ri të ndërtimeve në të gjithë Shqipërinë. “Në të vërtet ky ligj nuk merret me këtë çështje. Ky rregullon mënyrën se si Posta ofron shërbimin. Posta nuk ka detyrimin që të administrojë adresat e njerëzve. Posta ofron, dërgon shërbimin. Por kjo është një çështje shumë serioze për sistemin gjyqësor dhe për shumë shërbime të tjera që i ofrohen qytetarëve. Këtu ka disa element. Elementi i parë është rregullimi i sistemit të adresarit me të cilin po ndërmerren disa hapa. Hapi i parë që është duke u marrë është realizimi i një fotoje të re ajrore për të identifikuar të gjithë godinat e Shqipërisë. Kjo foto ajrore e re, pse daton që prej vitin 2007, mbaron këtë verë. Pas saj ajo do të hidhet në mënyrë që të identifikohen të gjithë godinat. Pas identifikimit të të gjithë godinave kjo do të kthehet në një sistem adresash elektronik. Që nga sistemi elektronik të kalojë në sistemin real do të ketë hapa që të na i realizojnë kryetarët e rinj të bashkive”,- tha znj. Harito.

Më pas deputetët e votuan projektligjin në parim duke e shtyrë votimin nen për nen dhe në tërësi për mbledhjen e ardhshme.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e raportit vjetor për veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014 duke u shprehur pro tij dhe hartimit të rezolutës për t’ia paraqitur më pas seancës plenare.