Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në tërësi projektligjin “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit.

  • Postuar më, 14/04/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në tërësi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me  ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)” dhe dekretit nr.1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995”, të ndryshuar”.

Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani deklaroi se afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri më 31.12.2016.“Me to mund të bëhesh pjesë e ankandeve në proceset e privatizimit (godina shtetërore, oborret, toka, deri edhe në investime strategjike”, tha z. Cani.

Bonot e privatizimit dhe lekët e privatizimit sipas dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi përdoren në procesin e legalizimit të ndërtimeve informate si dhe në llogaritjen e formulës së privatizimit në shoqëritë aksionere për punonjësit, të cilët shkëmbejnë bonot e privatizimit me aksione.

Më pas, anëtarët vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/ppp, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës së arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company””.

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturën Edmond Haxhinasto shpjegoi dhe procedurat që do të ndiqen.

“Besoj se e bën më të lehtë vlerësimin e këtij propozimi në aspektin procedurial nëse do të kemi parasysh faktin që këto janë para që Fondi Kinez ka vendosur për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Të kemi parasysh gjithashtu që në kërkesën procedurale të këtij lloj financimi ka qenë garanci sovrane nga shtetet që kanë aplikuar për këtë fond, gjë që ne e kemi mënjanuar. Pra duket vendosur një marrëdhënie kontraktuale apo potencialisht një marrëdhënie me këtë kompani pa marrë kredi dhe pa dhënë garanci sovrane. Ne kemi ndërmarrë iniciativë ligjore që procedura për këtë kontratë të jetë e veçantë, jo nëpërmjet procedurave standarde të koncesionit. Një element shumë i rëndësishëm që kemi ardhur në këtë situatë, është dhe fakti që projekti i rrugës së Arbrit sot ka katër statuse të ndryshme. Që do të thotë, ka një element të tij që e ka të përfunduar me gjatësi 16.95 km, ka fazën në ndërtim e cila ka gjatë 14.7 km me një vlerë prej 6.02 miliardë lekë që është akoma e papërfunduar dhe është ky segment i papërfunduar, por pa projekt 26.94 km me një vlerë të përafërt  28.7 miliardë lekë dhe pjesa e patenderuar dhe e paprojektuar që është segmenti prej 6.45 km me vlerë 4.6 miliardë lekë”, tha z. Haxhinasto.

Votimi i këtij projektligji u la për në mbledhjen e radhës së Komisionit për Ekonominë dhe Financat.