Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot një projektligj të rëndësishëm për shërbimin diplomatik dhe një marrëveshje të rëndësishme

  • Postuar më, 09/03/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve” dhe projektligjin “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Projektligji tjetër i parashikuar për të shqyrtuar në mbledhjen e komisionit, “Për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit dhe procesin e lustracionit”, nuk u shqyrtua për shkak se dy deputetët nismëtarë nuk ishin të pranishëm në mbledhje.

I ftuar në mbledhjen e komisionit ishte Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Punët e Jashtme, z. Qirjako Qirko, i cili bëri edhe një prezantim të projektligjit.

Relatorja znj.Vasilika Hysi në fjalën e saj, tha se projektligji kishte kaluar për shqyrtim në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pas një kërkese të bërë nga Komisioni për Politikën e Jashtme, për shqyrtimin e përputhshmërisë së tri neneve të draftit me Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit.

Kryetari i Komisionit, z. Fatmir Xhafaj në fjalën e tij theksoi se çdo kush që del me shërbim jashtë duhet të informojë Ministrinë e Jashtme. “Çdo kush që del me shërbim jashtë duhet të informoje , p.sh. deputetët që dalin jashtë duhet të informojnë. Kjo nevojitet dhe për memorie. Shërbimi diplomatik i jashtëm ?. Por cili është niveli? Unë mendoj që lë për të dëshiruar.”- tha Xhafaj gjatë diskutimit për projektligjin për Shërbimin e Jashtëm”.

Deputeti z. Pandeli Majko theksoi në fjalën e tij se marrëdhëniet me shtetet e tjera duhet të vihen në dijeni edhe deputetë e opozitës dhe kjo gjë duhet të bëhet nëpërmjet Komisionit për Politikën e Jashtme.  “Politika e Jashtme nuk është vetëm pjesë e programit Qeverisës . Kemi pasur gafa si ajo e Marrëveshjes se detit me Greqinë. Ministria e Jashtme të informojë, Komisionin e Politikës së Jashtme”- tha z. Majko.

Më pas deputetët votuan pro dy projektligjeve që ishin parashikuar për të shqyrtuar ë mbledhjen e komisionit.