Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot seancë dëgjimore për raportin vjetor “Për veprimtarinë e ERRU për vitin 2014”

  • Postuar më, 09/03/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator për fondet e granteve, për ndërtimin e kapaciteteve për koncesionet për investimet në energji dhe industri”. Të ftuar ishin përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Drejtoresha e Drejtorisë së Konçensioneve, Entela Konti, u shpreh se projekti për administrimin e fondeve grant, për ndërtimin e kapaciteteve për koncesionet për investimet në energji dhe industri, ka nisur. Ajo prezantoi kompaninë konsulente, “Merkados”, që po asiston në zbatimin e projektit. Duke u ndalur në rëndësinë e asistencës që do të japë BERZH, ajo tha se do të ndihmojë në dixhitalizimin e procesit dhe rritjen e transparencës, pasi u jep mundësinë palëve të treta të kenë akses në këtë databazë, për të kuptuar se çfarë ndodh me secilin koncension.

Drejtoresha Konti tha se kjo është asistencë për të gjithë procesin e konçensioneve. “Ne s’kemi patur asnjë databazë  për të gjithë koncensionet. Deri tani janë 164 kontrata, nga të cilat 20 për qind janë realizuar, 20 janë në proces”, tha Konti. Granti i dhënë nga BERZH kap vlerën e rreth 630 mijë euro. Në pjesën e dytë të mbledhjes u zhvillua seancë dëgjimore për raportin vjetor “Për veprimtarinë e ERRU për vitin 2014”, me drejtuesit e këtij institucioni.

Drejtori i Entit Rregullator të Ujit, Avni Dervishi bëri me dije se sektori i ujësjellës­kanalizimeve në të gjithë vendin, gjeneron të ardhura deri në vlerën e 150 milionë dollarëve në vit, nga të cilat 30 milionë nuk arkëtohen. Duke raportuar përpara deputetëve të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin punën e këtij institucioni gjatë vitit 2014, z. Dervishi evidentoi si problematikë humbjet e larta të ujit në nivelin e 67.4 për qind dhe faktin se niveli i faturimeve afrofe është shumë i lartë. Për të realizuar furnizim me ujë të pijshëm 24 orë të qytetarëve në të gjithë vendin, vlera e investimeve që duhet është rreth 6.4 miliardë euro. Gjatë vitit të kaluar Enti Rregullator i Ujit ka licencuar 15 operatorë të rinj që kanë hyrë në sektor dhe 9 të tjerë janë ende në proces.