Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 05/03/2015

Në drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare për të diskutuar disa projektligje të rëndësishme në fushën ekonomike si edhe për të bërë interpelancë me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Në hapje të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit bëri me dije se 28 deputetë të PD-së kanë kërkuar mocion mosbesimi për Kryetarin e Kuvendit dhe se kërkesa e tyre i ka kaluar me emergjencë Këshillit të Legjislacionit.

Interpelanca e parashikuar në rendin e ditës me Kryeministrin Rama e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, nuk u zhvillua. Kryetari i Kuvendit bëri me dije se interpelanca urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama kërkuar nga shtatë deputetë të grupit parlamentar të PD-së lidhur me “përfshirjen e Policisë së Shtetit në veprimtari të dhunshme si dhe arsyet e dhunimit të studentëve që protestojnë me të drejtë ndaj një vendimi diskriminues ndaj një vendimi të Këshillit të Ministrave”, në bazë të nenit 97 pika 2 të Rregullores, zhvillohen si pikë e parë e rendit të ditës në një nga seancat plenare të javës.

Por për shkak të mospranisë së deputetëve të opozitës në seancë plenare, Kryetari i Kuvendit u shpreh se në çdo kohë që opozita do të jetë e pranishme në Kuvend, do të ndërpritet seanca dhe do të zhvillohet interpelanca me Kryeministrin. Më pas, deputetët, shqyrtuan projektligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian’’. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe i Komisionit për Integrimin Europian, z. Taulant Balla tha se ndryshimet konsistojnë në përcaktimin e rregullave për marrëdhënien e Kuvendit të Shqipërisë me Këshillin e Ministrave, me institucionet e BE-së, me institucionet e pavarura dhe të shoqërisë civile në kuadër të një procesi gjithëpërfshirës të integrimit europian të Shqipërisë, një aspiratë historike e popullit tonë.

“Projektligji qartëson rolet përkatëse në proceset e integrimit europian, të Këshillit të Ministrave, të Kuvendit, sidomos në atë që quhet mbikëqyrje e Kuvendit ndaj Qeverisë në këtë proces. Përcakton rolin koordinues të Komisionit të Integrimit Europian në marrëdhëniet në nivel kombëtar dhe më gjerë”, tha z. Balla. Ky projektligj u miratua me 80 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 “ Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar u miratua me 77 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Relatori Bashkim Fino shpjegoi dhe ndryshimin e projektligjit. “Përfundoi funksioni i Komisionit të Shërbimit Civil dhe i anëtarëve të saj. Ne kemi miratuar strukturën e Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Vetëm do të zëvendësojmë emërtimin e Kryetarit të Komisionit të Shërbimit Civil me Komisioner të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Është një ndryshim teknik që duhet të paraqitet në legjislacion”, tha z. Fino.

Pas ardhjes në seancë plenare, Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka kërkoi nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhënien e dorëheqjes pas akuzave të deputetit Tom Doshi. Në përgjigje të kësaj kërkese, Kryetari i Kuvendit bëri me dije se: “Ju keni bërë një kërkesë për shkarkim. Mblidheni Këshillin e Legjislacionit dhe të fillojmë tani me kërkesën për shkarkim. Unë jam gati ta shkel Rregulloren prapë për ju për këtë arsye. A keni bërë kërkesë për shkarkim? E kam firmosur menjëherë. Doni ta fillojmë me kërkesën për shkarkim? Kërkoj mirëkuptimin e kryetarëve të grupeve dhe jemi gati ta fillojmë. Në rast se doni të fillojmë me kërkesën për shkarkim, le të fillojmë menjëherë. Vetë e keni firmosur, jam gati të respektoj procedurën tuaj. Në rast se duan të mbledhim Konferencën e Kryetarëve, jemi gati ta mbledhim, t’i respektojmë si gjithmonë”, deklaroi z. Meta. Deputetët vijuan më pas me shqyrtimin dhe me miratimin projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për Programin e Reformimit të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës – Faza II”. “Kjo marrëveshje ndihmon në optimizmin e shërbimit spitalor dhe vjen në kuadër të angazhimeve të Qeverisë shqiptare për të transformuar rrënjësisht kujdesin shëndetësor në vend. Ky transformim ka dy synime kryesore. Së pari vendosjen e mbulimit universal financiar nga taksimi i përgjithshëm dhe së dyti ofrimin e shërbimeve shëndetësore të arritshme pa vështirësi, të përballueshme financiarisht për shoqërinë dhe sidomos me një cilësi të lartë”, tha znj. Evis Kushi. Ky projektligj u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, si Administrator i fondeve grant, të siguruara nga qeveri të vendeve të ndryshme nën fondin e veçantë të aksionarëve të BERZH-it, për planin e qëndrueshëm të transportit në Shqipëri” u miratua me 77 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. “Ne jemi dakord me këtë projektligj i cili është shumë i domosdoshëm dhe do të jetë një ndihmë e madhe për zhvillimin ekonomik dhe të biznesit”, tha z. Ervin Koçi. Me 78 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua dhe projektrezoluta “Për parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri”. Seanca i mbylli punimet rreth orës 13:00.