Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, propozuar nga KM

  • Postuar më, 04/03/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën  Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Drafti parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.

Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.

Ministri për Mirëqenien Sociale e Rinisë, Erjon Veliaj shprehu besimin se kjo vendosmëri e mazhorancës dhe e qeverisëse do të bëjë bashkë të gjithë ata njerëz-vullnetmirë, të cilët gjatë këtyre dy dekadave, pavarësisht përdorimit për përfitim politik të kësaj çështje, kanë besuar vetëm te përballja me të vërtetën.

Ministri theksoi se ky projektligj mundëson konsolidimin e lirisë në vend, kanë punuar për të mbajtur gjallë kujtimin e të gjithë atyre që u bënë subjekt i persekutimit nga më të egrit në histori dhe kanë vazhduar pa reshtur përpjekjet për të mbajtur aktual këtë debat.

“25 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria mbetet vendi i vetëm, fatkeqësisht ende krah Rusisë, megjithëse është një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që nuk ka kryer transparencën e trashëgimisë së ish-Sigurimit të Shtetit. Ende sot e kësaj dite asnjë i persekutuar në këtë vend, i djathtë apo i majtë, komunist apo nacionalist, të cilët në mënyrë ironike u bënë njëlloj viktima të dhunës së paprecedent, nuk e dinë se çfarë ky Shërbim kurdisi kundër tyre”, tha z. Veliaj.

Ministri për Mirëqenien Sociale e Rinisë u shpreh se çdo nismë tjetër që do të shkonte përtej këtyre përcaktimeve, do të përbënte thjesht një spekulim politik.