Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje të rëndësishme.

  • Postuar më, 03/03/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje të rëndësishme. Fillimisht anëtarët e komisionit shqyrtuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes në kuadër të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për Programin e Reformimit të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës – Faza II”. I ftuar ishte dhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili  tha se objektivat specifike të fazës së dytë janë: Kompletimi i “ndërtesës kryesore” të Fazës së parë si dhe rehabilitimin e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme (6-katëshi). Më pas, anëtarët shqyrtuan dhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar”. Duke qenë se me fillimin e funksionimit të institucionit të ri të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, përfundoi funksionimi i ish-Komisionit të Shërbimit Civil, kjo gjë duhet reflektuar edhe në ligjin nr.9584, date 17.7.2006 "Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj", ku në lidhjen nr. 1 të nenit 4 të ligjit, në klasifikimet "D" dhe "E" vazhdojnë të ekzistojnë pozicionet e "Kryetarit të Komisionit të Shërbimit Civil" dhe të "Anëtarit të Komisionit të Shërbimit Civil'', të cilat tashmë nuk ekzistojnë. Sipas propozuesve, kjo nismë ligjore synon përshtatjen e ligjit të nëpunësit civil me legjislacionin e pagave për institucionet e pavarura.