Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj të rëndësishëm në fushën e integrimit si edhe dy marrëveshje të rëndësishme

  • Postuar më, 02/03/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, si Administrator i fondeve grant, të siguruara nga qeveri të vendeve të ndryshme nën fondin e veçantë të aksioneve të BERZH-IT, për planin e qëndrueshëm të transportit në Shqipëri”, “Për ratifikimin e marrëveshjeve të grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim si Administrator i fondeve grant, të siguruara nga BERZHI-I, nga burimet e veta, nën fondin e veçantë të aksioneve, për strategjinë e taksimit rrugor në Shqipëri” dhe “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Të pranishëm në mbledhje ishin dy nga nismëtarët e projektligjit “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deputetja znj. Majlinda Bregu dhe deputeti z. Taulant Balla.

Pas shqyrtimit të tri projektligjeve, deputetët e komisionit votuan pro tyre .

Projektligji “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në bashkimin Evropian” parashikon ngritjen pranë Kuvendit Këshillin Kombëtar të Integrimit. Nëpërmjet projektligjit synohet forcimi i rolit të Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe është nismë e tre deputetëve, Majlinda Bregu (PD), Taulant Balla (PS) dhe Kejdi Mehmetaj (LSI). Neni 6 i tij parashikon që Këshilli Kombëtar i Integrimit të jetë struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian që ngrihet pranë Kuvendit dhe që garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit. Këshilli Kombëtar, që drejtohet nga kryetari i Komisionit të Integrimit, përbëhet nga krerët e komisioneve të përhershme; Ministri i Integrimit; përfaqësues nga Presidenti, nga Kryeministri; Prokurori i Përgjithshëm; zv/kryetari i KLD-së, etj. Sipas nenit 10 të pr/ligjit, Kuvendi mbikëqyr dhe kontrollon zbatueshmërinë e kuadrit ligjor në fushën e integrimit; monitoron punën e qeverisë në zbatimin e detyrimeve në këtë proces; siguron përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian; shqyrton raportet/konkluzionet e BE-së dhe qëndrimet e Shqipërisë duke dhënë dhe rekomandime për to; bashkëpunon me PE-në etj. Gjithashtu, Kuvendi angazhohet edhe për vendosjen e dialogut të përshtatshëm politik ndërmjet palëve në proces; monitorimin e zbatimit të kuadrit rregullator për fillimin e negociatave/bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian; monitorimin e zbatimit të kuadrit rregullator të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë nga njëra anë dhe BE-së nga ana tjetër; forcimin e bashkëpunimit rajonal për çështjet e integrimit evropian, etj.

Projektligji “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” u shqyrtua gjithashtu edhe në Komisionin për Integrimin Evropian. Të ftuar ishin përfaqësues nga shoqëria civile, që do të ketë 3 vende në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Drejtorja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçe shprehu vlerësim për përpjekjen për të formalizuar përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit. Ajo u shpreh se e sheh përfaqësimin e shoqërisë civile në Këshillin Kombëtarë të Integrimit si një përfshirje me listë organizatash të specializuara për fusha të ndryshme dhe për çdo çështje të thirrej organizata që është specialiste për atë fushë. Gjithashtu, znj. Meçe kërkoi rritje të hapësirës së informacionit për integrimin evropian. “Qytetarët kanë pak informacion për integrimin. Duhet ta shohin se çfarë sjell integrimi për qytetarët. Të bëhen publike raportet për integrimin në mënyre periodike. Të bëhet një raportim i detajuar”, tha Meçe. Ndërsa zv/ministri i Integrimit Evropian, Gentian Elezi duke mbështetur përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit theksoi se, ky draft sjell konsolidimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile.