Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi me konsensus një projektligj të rëndësishëm.

  • Postuar më, 02/03/2015

Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrtoi dhe miratoi me konsensus projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bankës për zhvillim të Këshillit të Evropës, për programin e reformimit të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës – faza II”. Objektivi kryesor i projektit është përmirësimi në mënyrë të ndjeshme i aksesit në kujdesin shëndetësor spitalor cilësor për popullsinë e Shqipërisë, duke marrë në konsideratë që rreth 50% e 65 000 pacientëve të cilët trajtohen çdo vit në këtë qendër spitalore, vijnë nga jashtë Tiranës. Universiteti i Mjekësisë do të përfitojë prej futjes në punë të ambienteve të reja dhe, gjithashtu, ajo do të shërbejë si një qendër model për trajnimin e infermierëve dhe stafit mjekësor me standardet e reja të kujdesit shëndetësor. Objektivat specifike të fazës së dytë janë: Kompletimi i “ndërtesës kryesore” të Fazës së parë si dhe rehabilitimin e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme (6-katëshi). Deputetët e opozitës folën për mungesë të vëmendjes së qeverisë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor, pretendime të cilat u hodhën poshtë nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Në emër të grupit parlamentar të PD-së, deputetja Albana Vokshi tha se kritikat dhe kërkesat për Ministrin Beqaj nuk kanë si funksion të përbaltin askënd, por janë në funksion të përmirësimit të punës. “Në asnjë moment, ne nuk po mundohemi të përbaltim askënd dhe asgjë që po bëhet në sektorin shëndetësisë që prek çdo qytetar. Janë kritika në funksion të përmirësimit të punës dhe nuk kanë nevojë as të jesh mjek , për të kuptuar mangësitë nëpër spitale. Mjafton të dëgjosh zërin e qytetarëve për të ardhur këtu dhe për të kërkuar llogari  ministrit për të mbajtur ato premtime të bujshme që i ka dhënë gjatë fushatës elektorale. Ne nuk kemi asgjë kundër marrëveshjeve të tilla që çojnë në përmirësimin  e shërbimeve të ndryshme në QSUT dhe unë kam kërkuar që qeveria të alokojë më shumë fonde për sektorin shëndetësisë. Do të ishte në të mirë që filtrat e auditimit të investimit direkt në terren të funksionojnë tërësisht”, tha znj. Vokshi. Z. Petrit Vasili shprehu mbështetjen e grupit parlamentar të LSI-së për këtë marrëveshje. “Debati në shëndetësi duhet të orientohet dhe matet me indikatorë. Sa janë të sëmurë që trajtohen, sa shpejt e marrin diagnozën, sa është shkalla e vdekshmërisë etj. Sa herë do t’i shmangemi kësaj, asnjëra palë nuk do të jetë komode. Atje kur këta indikatorë lëvizin, atje kemi diçka për të matur. Ne e mbështesim absolutisht projektin dhe mbështes mendimin që monitorimi i vëmendshëm  hap pas hapi i këtij projekti të rëndësishëm është një prerogativë e domosdoshme”, tha z. Vasili. Në emër të grupit parlamentar të PS-së, Ilir Pendavinji tha se: Prisja që kjo seancë të kalonte me më pak debate, sepse vetë natyra e diskutimit ishte për miratimin e një marrëveshje për të cilën të gjithë jemi të interesuar. Por u përballëm këtu me hedhje balte mbi ministrin, Ministrinë  që nuk është e sotmja. Ka kohë që ka nisur, pavarësisht punës së mirë të ministrit. Ka ulur çmimet dhe ulja e çmimeve, ndoshta ka bërë prekjen e interesave ekonomike të fraksioneve të caktuara të cilat kanë interesa dhe shtrihet ndoshta dhe në këtë komision. Por shikoj një tendencë shumë të keqe për këtë pjesë. Ne si mazhorancë do të mbështesim këtë marrëveshje që është bërë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe për të mirën e shëndetësisë shqiptare dhe për ecjen përpara dhe të QSUT-së për të cilin ne të gjithë kemi nevojë”, tha z. Pendavinji.