Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Parandalimit dhe të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli lidhur me raportimin vjetor të këtij institucioni

  • Postuar më, 02/03/2015

Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Parandalimit dhe të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli lidhur me raportimin vjetor të këtij institucioni.

Duke folur para anëtarëve të komisionit, z. Gazheli tha se heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të dyshimta për pastrim parash, kud ndodhej për tre vjet rresht, është një lajm i mirë për vendin.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe të Pastrimit të Parave raportoi se, gjatë vitit 2014 ka pasur 462 raste të dyshimta për pastrim parash. Ai deklaroi se janë shuma të vogla të pastrimit të parave të terrorizimit.

“Kemi hedhur hapa domethënës ndaj financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave. Ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer me SHISH dhe SHIU-n. Kemi kërkuar akses në sistemin TIMS për të monitoruar shtetasit e huaj”, deklaroi z. Gazheli.

Sipas tij, ndër veprat problematike gjatë 2014, janë evazioni fiskal, trafikimi i lëndëve narkotike, etj. Por, Drejtori i Drejtorisë së Pastrimit të Parave ka qenë kritik me Prokurorinë. Ai ka deklaruar në këtë komision se lë shumë për të dëshiruar hyrja e parave në kufi.

“Prokuroria duhet të bashkëpunojë më shumë, duhet të bëjë më shumë në hetimin e rasteve të pastrimit të parave. Ka pak të dënuar ose aspak për këto çështje”, deklaroi Gazheli. Mbledhja vijoi me diskutime mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve.