Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, znj. Mesila Doda mori pjesë në takimin e grave parlamentare të rajonit, në Beograd

  • Postuar më, 02/03/2015

Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, znj. Mesila Doda mori pjesë në takimin e grave parlamentare të rajonit, në Beograd. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Mesila Doda kërkoi një bashkëpunim rajonal më të madh për fuqizimin e gruas. Znj. Doda u fokusua në aktivitetin e Aleancës së Grave Deputete dhe nismat e saj më të fundit për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe ndalimin e dhunës ndaj gruas. “Ne grave na takon të jemi promotore të gjithëpërfshirjes e dialogut në adresimin e çështjeve të vështira që mbajnë peng zhvillimin demokratik të rajonit tonë. Në këtë kontekst, shpreh keqardhjen për mungesën e kolegeve tona nga Kosova në këtë takim. Mosprania e tyre këtu nuk pasqyron për më tepër as realitetin e ri në rajon, ku falë ndërmjetësimit të BE-së, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre që do t'i mundësojë të dy vendeve në finale anëtarësimin në BE. Gruaja nuk lind e tillë, por zgjedh të bëhet grua çdo ditë. Ne zgjedhim të jemi gra, përtej diferencave dhe dallimeve tona”, tha znj. Doda në fjalën e saj.