Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 26/02/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare për të diskutuar disa projektligje të rëndësishme në fushën e mjedisit dhe në Forcat e Armatosura.

Në hapje të seancës, Kryetari i Kuvendit bëri me dije se në Konferencën e Kryetarëve në përgjithësi ka pasur konsensus midis forcave politike dhe shtoi se është rënë dakord që projektligji "Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë" dhe projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimi, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës - kanalizimeve" të shqyrtohen edhe nga Komisioni për Integrimin Europian.

Ndërsa shqyrtimi i projektligjit "Për sektorin e energjisë elektrike" është shtyrë nga data 19 mars, për në 2 prill pasi komisioni përgjegjës kërkon më shumë kohë. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10440, datë 7. 7. 2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, deputeti z. Besnik Baraj theksoi se ky është një projektligj shumë i rëndësishëm dhe ftoi deputetët për ta votuar. “Është një detyrë shumë e rëndësishme e të gjithë organizmave shtetërore që të rrisin kapacitet në këtë drejtim, që kjo pjesë e ligjit të luajë atë rol që duhet për mbrojtjen e natyrës dhe të burimeve natyrore në Shqipëri. Shqipëria është nga vendet që realisht ka pësuar më shumë dëme në mjedis në këto 25 vjet në raport me vendet fqinje. Vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe aplikimi bëhej në QKL në një kohë që  juristët dhe QKL që në fillimet e veta nuk kanë qenë dakord që për vlerësimin e ndikimit në mjedis të aplikohej në atë formë”, tha z. Baraj.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se këto ndryshime synojnë të ndikojnë në minimizimin ndikimeve negative në mjedis.

“Thjeshtëzimi i procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis do të ndikojë në minimizimin e ndikimeve negative në mjedis, plotëson rekomandimet e Komisionit Europian. Hartoheshin nga një person i vetëm duke ulur cilësinë, ndërsa tani hartohen nga një grup ekspertësh”, tha z. Koka, ndërsa sqaroi dhe çështjen e përfolur në media për projekt-idenë e devijimit të lumit Vjosa në territorin e Greqisë.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të mos falur asnjë litër ujë, liqene e lumenj”. “Shteti shqiptar ka reaguar në kohën e duhur si për Vjosën, Prespën dhe Radikën më herët. Që në projekt-ide, shtetet fqinje kufitare duhet të jenë pjesë e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Një gjë është e qartë dhe për këtë garantojmë gjithë deputetët e gjithë shqiptarët, se kjo qeveri është e vendosur për të mos falur një litër ujë, e jo më dete, liqene e lumenj. Janë të gjitha konventat që na e garantojnë këtë dhe po ashtu edhe gjykatat ndërkombëtare. Ne jemi gardianë për të respektuar këto konventa, aq më shumë kur bëhet fjalë në raporte ndërkufitare”, siguroi z. Koka.

Deputeti i PD-së, Gjergji Papa ngriti shqetësimin e kompetencave, ku sipas tij mund të nxirren urdhra dhe vendime në favor të ministrive dhe në dëm të Qendrës së Licencimit. “Qëllimi i ligjit është që shteti përmes Qendrës Kombëtare të Licencimit të kontrollojë dhe të disiplinojë agjencitë dhe ministritë. Është e domosdoshme që për çdo vendim apo projektligj që prek apo bie ndesh me lejet apo shërbimet, të merret paraprakisht mendimi i Ministrisë së Ekonomisë. PD ngre shqetësimin se ky ndryshim mund të krijojë një shteg dhe të bëhet një precedent i rrezikshëm nëse nuk zbatohen këto parime. Çdo ministri mund të japë apo të kërkojë të marrë kompetenca të licencimit duke zhbërë reformën inovatore”, tha z. Papa duke shtuar se duhen shtuar mundësitë për të ushtruar më shumë kontroll ndaj administratës. Projektligji u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe 33 abstenim.

Më pas Kuvendi vijoj diskutimin e projektligjit “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se për normimin e punës së Policisë Kriminale, në projektligj janë përfshirë  disa nene specifike për funksionimin e saj, si dhe janë riformuluar disa nene të tjera që kanë të bëjnë me zbatueshmërinë efikase të dispozitave që rregullojnë veprimtarinë e Policisë Kriminale konkretisht për parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e veprimtarisë kriminale në Forcat e Armatosura.  Sipas saj, këto ndryshime janë bërë duke pasur parasysh përcaktimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Ligji i paraqitur i jep Policisë Ushtarake në Republikën e Shqipërisë shumë më pak kompetenca, po ta krahasojmë me kompetencat që vendet e Aleancës u japin policive respektive ushtarake. Në shumë vende perëndimore anëtare të aleancës si Franca, Italia, Belgjika, Spanja, Portugalia, Turqia, Holanda, forcat e Policisë Ushtarake janë forca e katërt militare krah asaj tokësore, detare dhe ajrore, me karakteristika të spikatura jo vetëm kur flitet për rendin ushtarak, por edhe atë civil. Në të gjitha rastet kreu i policisë ushtarake përgjigjet përpara Ministrit të Mbrojtjes dhe është në vartësi direkte të tij”, tha znj. Kodheli.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Turku shprehu shqetësimin me kompetencat e reja që i jepen Policisë Ushtarake. “Ky projektligj ka një problem shumë të madh, jo në tërësi, por në disa nene të tij. Policia ushtarake ka të drejtë, ndryshe nga ligji i mëparshëm, që të mbledhë informacione jo vetëm për pjesëtarë të Forcave të Armatosura, por edhe për civilë. Kjo gjë nuk na është sqaruar asnjëherë. Ne kemi këmbëngulur nëse duhet t’ia japim këtë të drejtë Policisë Ushtarake pa dallim. Shteti ka edhe struktura të tjera të grumbullimit të informacionit. Kemi përshtypjen se i jepen kompetenca të jashtëzakonshme Policisë Ushtarake që të futet në të dhënat personale të çdo qytetari të Republikës”, tha z. Turku.

Në emër të Partisë Socialiste, deputeti Piro Lutaj theksoi se ky është një projektligj shumë i rëndësishëm pasi prek organikën e funksionimit të Policisë Ushtarake. “Është pjesë e paketës ligjore për të kompletuar tashmë Forcat e Armatosura dhe për ta kthyer dhe Policinë Ushtarake në një instrument ligjor brenda strukturës së FA, ndryshe nga çfarë ka qenë për 7 vjet rresht. Për 7 vjet rresht, një nga elementët FA-së, Policia Ushtarake ka vepruar pa asnjë dispozitë ligjore.  Jemi këtu për të plotësuar reformimin dhe transformimin e mëtejshëm të FA. Arsyeja kryesore e këtij ligji janë përsosmëria dhe përcaktimi i qartë i veprimtarisë së kësaj strukture brenda Forcave të Armatosura”, tha z. Lutaj.

Në emër të grupit të Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”, deputeti z. Spartak Braho theksoi se projektligji bën plotësimin e domosdoshëm të reformës në kuadrin ligjor të Forcave të Armatosura. “Reforma është vazhdim i transformimit të mëtejshëm të këtyre forcave, e krijimit të kapaciteteve të nevojshme për përballimin e sfidave të sigurisë dhe të mbrojtjes si dhe për dhënien e vendit të duhur të këtyre forcave pjesë e NATO-s. Dua të theksoj që kanë të bëjnë me të drejtat individit që kërkojnë garanci maksimale. Me ndërhyrjet e bëra në komision, projektligji paraqitet më i plotë dhe i përgjigjet kërkesave të respektimit të të drejtave të njeriut. Pikë themelore për veprimtarinë e funksionimit të Policisë Ushtarake, do të jetë Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni penal në fuqi”, tha z. Braho.

Në përfundim të diskutimeve, projektligji u miratua me 74 vota pro, 34 kundër dhe asnjë abstenim. Kuvendi diskutoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Islandës, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat”. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani vlerësoi se kjo marrëveshje do të na krijojë një klimë më të mirë biznesi. “Do të na shmangë tatimin e dyfishtë, evazionin fiskal mes dy vendeve. Do të na krijojë mundësinë e një informacioni të përbashkët për të ndaluar veprimtaritë e pakëndshme mes të dy vendeve. Më gjeni një pikë që nuk është në favor të qytetarëve dhe biznesit. Gjithçka në ndihmë të investitorëve të huaj në Shqipëri. Gjithçka në ndihmë të biznesit”, tha z. Cani, duke shtuar se deputetët e opozitës nuk kanë se për çfarë ta kundërshtojnë këtë projektligj dhe duhet të votojnë pro tij.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste diskutoi deputeti Erion Braçe, i cili theksoi se marrëveshje të tilla duhen lidhur edhe me SHBA-të. “Mbështes kërkesën e deputetit Anastas Angjeli për të lidhur një marrëveshje të tillë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ne po lobojmë direkt dhe po kërkojmë rritjen e investimeve. Marrëdhënia me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore janë shumë të mira”, tha z. Braçe.

Ndërsa në emër të Partisë Demokratike, deputeti Sherefedin Shehu u shpreh skeptik për klimën e biznesit në Shqipëri. “Unë jam skeptik nëse ndonjë kompani e huaj do të vijë, për shkak të taksave. Edhe klima për të bërë biznes vazhdon të përkeqësohet. Shqipëria ka lidhur marrëveshje të tilla. Kemi shumë marrëveshje, por të gjitha po humbasin synimin e tyre. Investitorët nuk besojnë që të vijnë në Shqipëri sepse Shqipëria ka rënë  9 vende në klimën e të bërit biznes. Rritja e barrës tatimore është e ndjeshme 15 për qind, evazioni fiskal është i lartë, pra lulëzon ekonomia informale”, tha z. Shehu. Pas diskutimeve, projektligji u miratua me konsensus me 107 vota pro.

Krahas këtyre projektligjeve, Kuvendi miratoi me  75 vota pro, 31 kundër dhe 1 abstenim projektvendimin “Për miratimin e disa ndryshimeve në strukturën, organikën dhe numrin e punonjësve të administratës së Autoritetit të Mediave Audiovizive”, sipas variantit të propozuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Kuvendi miratoi gjithashtu me 76 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim projektvendimin “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”. Znj. Denada Prifti u votua si anëtare e re e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kuvendi votoi dhe Programin e punës të Kuvendit për periudhën 27 shkurt – 23 prill 2015 si edhe Kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit, 27 shkurt – 20 mars 2015.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 19:30.