Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton projektrezolutën për gjakmarrjen dhe një projektligj të rëndësishëm për Forcat e Armatosura

  • Postuar më, 25/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektrezolutën “Për parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe protokollit të zbatimit për asistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.

I pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishte Zëvendësministri i Mbrojtjes z.Petro Koçi.

Lidhur me pikën e parë, Kryetarja e nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut znj.Vasilika Hysi bëri një parashtrim të punës së bërë nga nënkomisioni deri në hartimin e rezolutës. “Bazuar në raportin e Avokatit të Popullit, në dëgjimin e fjalës së tij, njëkohësisht me raportimet që bënë institucionet përkatëse, por edhe raportet që sollën me shkrim një pjesë e institucioneve shtetërore lidhur me masat që ata kanë marrë për parandalimin e këtij fenomeni, si dhe duke ballafaquar edhe atë çfarë u tha në seancë dëgjimore nga organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare të pranishme në seancë, ne vendosëm që të dalim me një projektrezolutë për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë”,- tha znj Hysi.

Lidhur me pikën e dytë të rendit të ditës, Zv/Ministri Petro Koçi theksoi se marrëveshja që ishte paraqitur në komision, parashikonte një ndihmë financiare nga qeveria turke për modernizim të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë. “Marrëveshja e Bashkëpunimit Ushtarak Financiar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokollit të Zbatimit të Ndihmës Financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Turqisë është propozuar nga pala turke në vazhdimësi të ndihmës së përvitshme që shtetit turk jep për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja ka për qëllim dhurimin e nj shume prej 2 milion e 275 mijë lira turke, ekuivalente afërsisht me 1 milion e 137 mijë e 500 dollarë amerikan. Dhënë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë e ndarë në dy shuma. Shuma e parë prej 2 milion e 145 mijë lira turke do të përdoren si kontribut financiar për blerjen e mallrave dhe shërbimeve nga kompanitë turke që operojnë në industrinë ushtarake për modernizimin e Forcave të Armatosura në Republikës e Shqipërisë. Dhe shuma e dytë prej 130 mijë lira turke përbën edhe shumën e përcaktuar në protokollin e zbatimit të ndihmës financiarë që kjo është një shumë që zbatohet për të mbuluar të gjitha pagesat e vizitave zyrtare, trajtimeve dhe tarifat e kurseve të personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Turqi”. Zv. Ministri Koçi shtoi se  në ndryshim nga marrëveshjet e tjera të përvitshme në kuadër të kësaj ndihme “duhet të themi që për pjesën e parë dikur ka qenë që Qeveria e Republikës së Shqipërisë që paguante një shumë prej 10% në rast se tejkalohej dhe arrihej shuma e përcaktuar në marrëveshje, ndërsa me projektligjin që kemi përpara ky detyrim nuk është më. Pra edhe nëse arrihet e gjithë kuota apo edhe kapërcehet ajo, të gjithë këtë pjesë e mbulon pala turke, pra 100% të shumës. Kushti siç e dini edhe nga marrëveshjet e mëparshme është që të gjitha këto mallra dhe shërbime apo pajisje, blihen dhe prokurohen tek kompania turke që është ndërmarrje ushtarake pranë Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë”.

Më pas deputetët vendosën për ti miratuar të dyja çështjet që kishin në diskutim duke i kaluar për miratim në seancë plenare.