Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore me kandidaten e Këshillit të Ministrave për anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, znj. Denada Prifti si dhe zhvilloi një takim me misionin e Bankës Botërore

  • Postuar më, 25/02/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore me kandidaten e Këshillit të Ministrave për anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, znj. Denada Prifti si dhe zhvilloi një takim me misionin e Bankës Botërore në Tiranë, për konsultime mbi Strategjinë e Partneritetit me vendin tonë, për vitet 2015-2019. Gjatë seancës dëgjimore, kandidatja e Këshillit të Ministrave për anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Denada Prifti tha se duhet një kod moral dhe etik për të gjithë punonjësit e Bankës së Shqipërisë. “Punoj në Komisionin Europian për bankat dhe stabilitetin financiar. Kam një karrierë 20 vjeçare në sistemin bankar të Gjermanisë dhe Belgjikës. Për 5 vite me radhë kam punuar në sistemin bankar gjerman. Nuk kam lidhje politike dhe gjithçka e kam arritur me punë”, deklaroi Prifti. Më pas Komisioni vijoi diskutimin me përfaqësues të Bankës Botërore në Tiranë, për konsultime mbi Strategjinë e Partneritetit me vendin tonë, për vitet 2015-2019. Znj. Tahseen Sayed  foli për sektorët të cilët do të jenë prioritarë për t’u mbështetur në të ardhmen. Sipas znj. Sayed, BB do të jetë e angazhuar në aspektin këshillimor përmes financimeve me grante në një numër sektorësh ekonomik dhe sektorë të tjerë që janë të rëndësishëm për promovimin e punësimit. Përfaqësuesja e Bankës Botërore garantoi që në të ardhmen do të zhvillohen më shumë punë në mbështetje të sektorit energjetik, turizmit, pensioneve dhe në administrimin ujit që është një përparësi shumë e madhe për vendin.