Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore lidhur me aplikimin e patentës me pikë

  • Postuar më, 25/02/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore lidhur me aplikimin e patentës me pikë. Të ftuar ishin z. Maksim Tashi dhe z. Nikolin Berzhiku nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës si edhe z. Qamil Sadikaj nga Ministria e Brendshme.

Z. Berzhiku bëri me dije se leja e drejtimit me pikë është e parashikuar në nenin 120/1 të Kodit Rrugor. “Me ndyshimet e fundit të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë këtij neni iu bënë disa korrektime dhe tashmë bëjnë të mundur zbatimin e asaj që quajmë sistemin e pikëve të lejes së drejtimit. Aty janë parashikuara procedurat e hollësishme mbi të cilat zbatohet sistemi i pikëve. Është një masë sanksionuese shtesë e kundravajtjve që parashikon kodi rrugor krahas masave të tjera si gjoba apo edhe masat e pezullimit të lejes së drejtimit”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës.

Pikët e patentës në total janë 20, ndërsa sistemi i pikëve përcakton 61 shkelje të cilat në fakt janë masat që merren kur rrezikon pezullimin e patentës, me heqjen nga 5 deri në 10 pikë për çdo kundravajtje. Kështu në rastet e tejkalimit të shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, drejtuesi i mjetit ndëshkohet me heqjen e 8 pikëve nga patenta. Nëse është përsëritës i kësaj shkeljeje, ndëshkimi i parashikuar është minus 10 pikë. Për rastet kur nuk respektohet sinjalizimi i semaforit apo i policit të trafikut, drejtuesi ndëshkohet gjithashtu me 10 pikë dhe po me 10 pikë edhe në rastet kur drejton makinën në gjendje të dehur. Ne rastin kur numri i pikëve behet zero, drejtuesi i mjetit paraqitet para Komisionit të Disiplinës në Policinë Rrugore.

Më tej, anëtarët e komisionit u kanë drejtuar pyetje të ftuarve lidhur me procedurat e aplikimit të sanksioneve për drejtuesit e mjeteve në rast të kundravajtjeve dhe mënyrat se si do të zbatohet sistemi i heqjes së pikëve. Diskutimet kanë zgjatur për më shumë se 1 orë.