Komisioni Hetimor për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore si dhe për të njohur fenomenin e ndërhyrjes së sistemeve elektronike tatimore u njoh me përgjigjet e institucioneve

  • Postuar më, 25/02/2015

Komisioni Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar më thellë fenomenin e ndërhyrjes dhe të bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore” u mblodh për t’u njohur me përgjigjet e ardhura nga institucionet.

Kryetari i komisionit, Arben Ristani, bëri me dije se të gjitha institucionet kanë sjellë informacion, me përjashtim të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT).

Sipas z. Ristani, nëse DPT ka kthyer një përgjigje, ndonëse nuk është ajo e kërkuar nga komisioni, Ministria e Financave nuk ka sjellë asnjë shkresë. Kjo, sipas tij, përbën shkelje të kodit penal. “Propozoj që Komisioni hetimor, bazuar në ligj të kallëzojë penalisht për shpërdorim detyre, me qëllim pengimin hetimi”, Ministrinë e Financave. Sipas Kodit Penal, komisioni hetimor duhet të kërkojë edhe sekuestrimin e dokumentacionit, që i vjen në ndihmë hetimit tonë”, tha Ristani.

Kjo kërkesë u shoqërua me diskutime të shumta, pasi deputetët e mazhorancës në këtë komision nuk ishin dakord me këtë kërkesë radikale.

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, njëkohësisht nënkryetar i këtij komisioni, u shpreh se përgjigjigjja e Drejtorisë së Tatimeve është ezauruese. “Ky komision i mbivendoset punës së Prokurorisë dhe kjo vjen për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtën Kuvendit, të ngre këtë komision, që në të vërtetë nuk duhet të ishte bërë dhe sot jemi këtu përballë faktit. Pasi DPT thotë në shkresën e saj, se Prokuroria, si organi që po bënë hetimin e çështjes ndalon marrjen e këtyre shkresave”, tha z. Klosi, i cili propozoi në emër të anëtarëve të opozitës, dërgimin e një shkrese tek prokuroria, që ky institucion të sqarojë hapësirat ku komisioni hetimor mund të lëviz. Deputetët e opozitës kundërshtuan këtë ide, pasi sipas tyre, Parlamenti është institucioni më i lartë në vendin tonë dhe nuk është Prokuroria ajo që përcakton tagrin dhe hapësirat e komisionit hetimor, por ligji dhe kodi i procedurës penale.

“Nuk mund të jetë kurrsesi Prokuroria një institucion që përcakton punën e komisionit hetimor dhe aq më pak që ndan se cilat dokumenta mund të marrim apo jo, prandaj në këtë pikë nuk ka diskutim. Ne maksimumi mund të pyesim në Prokurori, se në ç’pikë kanë arritur hetimet dhe cilët janë personat që po hetohen për këtë, por jo të pyesim hetuesinë se çfarë dokumentesh duhet apo s’duhet të marrim”, tha z. Ristani.

Pas shumë debatesh, Kryetari i komisionit, z. Ristani u tërhoq nga kërkesa e parë, duke propozuar një zgjidhje alternative. “Ligji thotë, kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe ne këtë duhet të bëjmë, por duke parë rrethanat, ne po i japim një zgjidhje të ndërmjetme Ministrisë së Financave, t’i japim disa ditë kohë Ministrisë së Financave dhe në rast se deri të hënën nuk do të ketë përgjigje, atëherë ne do veprojmë sipas ligjit”, tha z. Ristani.

Deputeti PS-së, z. Klosi u shpreh pro kësaj kërkese dhe propozoi që Prokurorisë t’i dërgohet një shkresë, për të parë përparimin e hetimeve. Propozimi i z. Klosi u miratua nga komisioni.