Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton një projektligj të rëndësishëm për qeverisjen vendore

  • Postuar më, 24/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar”

I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Antikorrupsionin, Bledi Çuçi.

Deputetët diskutuan nen për nen projektligjin pasi më parë ai ishte miratuar në parim si edhe ishte zhvilluar seanca dëgjimore me grupet e interesit lidhur me projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar”.

Pas diskutimit të neneve, Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se relatori i projektligjit, z.Bashkim Fino së bashku me Nënkryetarin e Komisionit, z.Oerd Bylykbashi dhe Ministrin z.Bledi Çuçi do të diskutonin për pikat që nuk u arrit dakordësia dhe do të paraqiten para votimit në seancë plenare.

“Unë mendoj që zoti Bylykbashi të flasë me zotin Fino dhe zotin Ministër. Në qoftë se gjen një formulë që nuk gjeneron tension nesër, duke e reflektuar normën kushtetuese, unë jam pro të gjetjen një zgjidhje të kësaj natyre për ta votuar në seancë. Kështu që, këtu se zgjidhim dot se mund të bëjmë eksperimente dhe mund të kemi tensione kot, deri në seancë le ta diskutojmë”,- tha z.Xhafaj.