Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10440, datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

  • Postuar më, 24/02/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10440, datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

Ky projektligj do të kontribuojë në përmirësimin e sistemit dhe procedurës paraprake e të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, duke sjellë një qasje më të integruar të parimit të zhvillimit të qëndrueshëm.

Kryetari i Komisionit Eduart Shalsi tha se “ka nevojë për një reformë të plotë, të thellë, të mirëfilltë për të gjithë hallkat e përfshira në procesin e vlerësimit në mjedis”.

Ligji nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ka hyrë në fuqi që në shkurt të vitit 2013, por gjatë implementimit të tij janë hasur një sërë problemesh dhe ndër problemet kryesore përmendim sigurimin e pjesëmarrjes së publikut në procesin e VNM-së dhe konsultimet e vazhdueshme ndërmjet zhvilluesit, autoriteteve publike, autoritetit përgjegjës për procesin e VNM-së dhe publikut të ndikuar. Dokumentet, që i lëshohen zhvilluesit në përfundim të procedurave paraprake dhe të thelluar të VNM-së, janë përkatësisht vendimi i AKM-së për nevojën ose jo për të vijuar me procedurën e VNM-së së thelluar dhe deklaratë mjedisore për procedurën e VNM-së së thelluar. Pra, referuar ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për lejet dhe licencat në Republikën e Shqipërisë”, asnjë nga dokumentet, që lëshohen nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, nuk është leje, licencë apo autorizim.