Komisioni për Politikën e Jashtme miraton një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 24/02/2015

Komisionin  për Politikën e Jashtme shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Islandës, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat”. Marrëveshja ka si qëllim nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare dhe shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje luan një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko - tregtare, ku shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet. Rëndësia e këtyre marrëveshjeve po rritet vazhdimisht në kushtet e rritjes së aktiviteteve të biznesit të shoqërive shumëkombëshe dhe në kushtet e rritjes së vazhdueshme të lëvizjes së lirë ndërkombëtare të njerëzve, kapitaleve, mallrave e parave.