Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 24/02/2015

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Të ftuar në mbledhje ishin zv.Ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, përfaqësues të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

Deputetët e PD-së kanë kërkuar konsultën hartuesve të projektligjit me ekspertë të NATO-s, duke ngritur pretendime se nuk është marrë asnjë mendim nga partnerët ndërkombëtarë. Në përgjigje Zv.Ministri Koçi tha se projektligji është tërësisht teknik dhe profesional e nuk ka lidhje me asnjë lloj tendence politike.

“Projektligji është hartuar në mënyrën më transparente në grupin e punës duke përfshirë edhe ekspertizë të huaj, që lidhet me modele të vendeve aleate me rekomandime të bëra nga Garda Amerikane e Nju Xhersit, Policia Ushtarake Gjermane, Karabinieria Italiane dhe Xhandarmëria turke. Ndërkohë, u jemi referuar edhe vendeve të tjera që e kanë policinë ushtarake si ne, siç është Greqia, Austria, Kanadaja, Bullgaria dhe Çekia”, tha z. Koçi.

Mbledhja vijoi me diskutime dhe debate mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve lidhur me nene të caktuar të projektligjit. Në fund, komisioni miratoi në tërësi dhe nen për nen projektligjin “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.