Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton ndryshimin në strukturën organike të AMA dhe disa nene të Kodit të Procedurave Administrative

  • Postuar më, 23/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrton Vendimin Nr. 14, date 17.12.2014 “Për propozimin e disa ndryshimeve në strukturën, organikën dhe numrin e punonjësve të administratës së Autoritetit të Mediave Audiovizive”, dhe projektligjin “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”. (Shqyrtimi i neneve 112 – 134).

Në mbledhjen e komisionit ishte i pranishëm Kryetari i Autoritetit të Mediave Audio-vizuale, Gentian Sala për pikën e parë të rendit të ditës ndërsa për pikën e dytë ishin të ftuar ekspert nga Ministria e Drejtësisë.

Në fjalën e tij, Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Z. Fatmir Xhafaj, theksoi se mbledhja zhvillohet për shkak se në seancë plenare është marrë vendimi që struktura organike e AMA-s të rishikohet nga komisioni. “Siç jeni në dijeni, në një nga seancat e mëparshme u paraqit për shqyrtim në seancë plenare projektvendimi lidhur me disa ndryshime në strukturën organike dhe numrin e punonjëseve të administratës të Autoritet të Mediave Audiovizive. Kolegu ynë i këtij komisioni, deputeti Bashkim Fino paraqiti një objeksion lidhur me përmbajtjen e atij projektvendimi dhe seanca vendosi para votimi të atij projekti, ta kalojë për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve. Pikërisht bazuar mbi këtë vendimmarrje të seancës plenare, këtë vendim e kemi pikë të parë të rendit të ditës”,- tha z.Xhafaj.

Në fjalën e tij, kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala tha se projektvendimi parashikon shtimin e organikës së institucionit me dy punonjës. “Ka një historik në lidhje me shtimin e strukturës ë Autoritetit të Mediave Audiovizive. Pranë Komisionit të Mediave, administrata e mëparshme ka bërë një shtesë strukture prej 13 personash në total, të cilat me ardhjen time në detyrë e kemi riparë dhe kemi menduar që ka nevojë për rishikim. Në bashkëpunim  me OSBE-në, kemi rënë dakort që kjo strukturë të konsultohet edhe me autoritete të tjera audiovizive të vendeve të zhvilluara pjesë e OSBE-së. Eshtë menduar që të bëjmë  shtesë për ato kërkesa që  janë të bazuara në ligj. Është Këshilli i Ankesave dhe Sekretari i Përgjithshëm. I vetmi person që mund të themi që është shtuar në këtë strukturë të re, është sekretari i Sekretarit të përgjithshëm”,- tha z. Sala.

Në fjalën e tij, deputeti z.Bashkim Fino theksoi se shtimi i personalit në këtë dikaster nuk është i nevojshëm, duke theksuar  se shtimi i punonjësve duhet bërë në sektorin e monitorimit të mediave dhe jo në sekretarë teknik. “Kam dilemën tjetër, se duke hapur dhe duke parë këtë strukturë, nuk kam ndonjë vërejtje për ta shkurtuar numrin pesë, që këta kanë kërkuar dhe kolegët tanë të Komisionit të Mediave e kanë miratuar një gjë të tillë, pra të ngelet ky numër.  Mnedoj se nuk ka pse të ketë as zv/kryetari jot, z. kryetar dhe as sekretari i përgjithshëm sekretar në paradhomë. Absolutisht nuk duhet të kenë, sepse është një institucion i vogël me 50 veta. Unë propozoj që të shkurtohen, por jo në dëm të institucionit, le të shtohen monitoruese, ajo që është më e rëndësishmja për mua në këtë institucion”,- tha z.Fino.

Por në reagimin e tij, z.Majko theksoi se struktura e AMA-s duhet të miratohet ashtu siç është paraqitur nga vetë institucioni. “ Unë kam përkrahur gjithmonë këtë idenë shumë efikase që ka kolegu Fino për rishikimin e  gjithë organikave të këtyre institucioneve të pavarura, që shpesh tejkalojnë edhe logjikën më sempliste të mënyrës se si ato funksionojnë apo punojnë, sa i përket fryrjes gjithmonë. Por në rastin përkatës, mendoj se kemi të bëjmë me një institucion që ndodhet përballë një tregu shumë sfidues dhe  struktura është treguar e vërtetë se mund ti vendosin si monitorues dhe ti përdorin si sekretar. Por kam përshtypjen që për mënyrën e ndërtimit të strukturës, sigurisht ky institucion duhet të ketë edhe jo më, me atë profilin që jemi mësuar ne, një paradhomë, dikush e lyer me buzëkuq apo ku di unë sjell logjikën e sekretares. Mendoj që duhet ta riorientojmë diskutimin, jo më me logjikën e paradhomës dhe çfarë po ndodh tek paradhoma, por me logjikën e një asistenti që sigurisht do të duhet ti qëndrojë në krah, qoftë kryetarit të AMA-s, qoftë zëvendëskryetarit, qoftë Sekretarit të Përgjithshëm. Unë mendoj se duke qenë dakord me pjesën më racionale të asaj që tha kolegu Fino, mbase kjo shprehja sekretar na shqetëson, por në thelb ata janë asistentë, ndihmës, qoftë të kryetarit, qoftë të zëvendëskryetarit, qoftë të sekretarit të përgjithshëm. Dhe mendoj në funksion të rindërtimit të një institucionit të fortë i cili do të ketë goxha sfida në vazhdim, unë jam që të miratohet kështu siç është.

Më pas kryetari i Komisionit, z. Fatmir Xhafaj hodhi në votim dy propozimet,  u miratua ai i z. Bashkim Fino, ku u shtuan dy monitorues në institucionin e Autoritetit të Mediave Audiovizuale.

Më pas komisioni miratoi edhe nenet e Kodit të Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë, ku kryetari i Komisionit, z.Fatmir Xhafaj theksoi se në fund do të hartohet një tekst integral të Kodit dhe do ti paraqitet të gjithë deputetëve që të japin mendimet e tyre.