Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me AREA, Dhomën e Tregtisë, Konfindustrinë dhe FIAA, lidhur me projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”.

  • Postuar më, 23/02/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me AREA, Dhomën e Tregtisë, Konfindustrinë dhe FIAA, lidhur me projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Gjatë diskutimit të projektligjit për energjinë, përfaqësues të kësaj shoqate kanë kërkuar një çmim më të lartë nga ai që paguhet aktualisht prej 7.65 lekë për kilovat/orë. Shoqata kërkon rregulla për energjinë e prodhuar në vend dhe detyrimin e OSHEE-së për blerjen e saj. Nënkryetari i shoqatës së energjisë së rinovueshme, Sokol Meqemeja, tha se, sektori po vuan mungesën e likuiditetit.

Znj. Flonia Tashko tha se projektligji i paraqitur në Kuvend duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjin për energjinë e rinovueshme dhe me direktivat. Sipas saj, nisma e re duhet të marrë parasysh disa problematika, siç është mungesa e një reference ligjore për të blerë energji.

 “Kërkojmë një garanci për zbatimin e kontratave tona 15 vjeçare. Është e paqartë përgjegjësia për humbjet gjatë tansmetimit dhe shpërndarjes”, tha znj. Tashko.

Rezerva ndaj projektligjit paraqiti edhe kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduart Shalsi shprehu vullnetin e komisionit për të dëgjuar të gjithë palët me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor.

“Ne si komision kemi detyrën që përpara se të marrim një vendim, të dëgjojmë të gjitha palët. Sigurisht që qeveria është një komponent deçiziv në hartimin e politikave në sektorin e energjisë. Sigurisht ka qenë një sektor i falimentuar, në vështirësi të jashtëzakonshme financiare që ka rrjedhur nga një mungesë vizioni të qartë se si duhet të ishte, çfarë modeli duhet të kishte Shqipëria në energji. Ligjin do ta vijojmë që ta diskutojmë, duke mos u nisur nga emergjenca e miratimit të ligjit, por nga cilësia e ligjit që do të miratojmë”, tha z. Shalsi.