Delegacioni i përhershëm parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë i kryesuar nga z. Eduard Selami merr pjesë në hapjen e sesionit të dimrit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së

  • Postuar më, 19/02/2015

Delegacioni i përhershëm parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë i kryesuar nga z. Eduard Selami mori pjesë në seancën plenare të hapjes së sesionit të dimrit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Pas fjalës përshëndetëse të mbajtur nga Kryetari i Radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Serbisë z. Ivica Dacic, deputeti Eduard Selami në emër të delegacionit shqiptar vlerësoi prioritetet e Kryesisë serbe për vitin 2015 në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal.

Në ndërhyrjen e tij, z. Eduard Selami kërkoi informacione se cilat do të jenë hapat e Kryesisë serbe për përfshirjen e Kosovës në veprimtaritë e OSBE-së dhe anëtarësimin e saj në këtë organizatë rajonale.

Në reagimin e tij, Ministri serb, Ivica Dacic e konsideroi këtë pyetje si një provokim, duke u shprehur që  "kjo të jetë hera e fundit, që kërkohet kjo gjë".