Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade takohet në Vjenë me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm dhe Çështjeve Europiane të Austrisë, z. Joseff Cap

  • Postuar më, 19/02/2015

Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zj. Arta Dade, u takua në Vjenë, në Parlamentin e Austrisë me Kryetarin e  Komisionit të Jashtëm dhe Çështjeve Europiane të Austrisë, z. Josef Cap. Gjatë takimit u shkëmbyen gjerësisht mendime lidhur me situatën në rajon dhe perspektivën Europiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Znj.Dade paraqiti një ekspoze të hollësishme të politikës konstruktive të Shqipërisë në rajon si dhe progresit të dukshëm në procesin e reformave, duke veçuar arritjet në luftën kundër krimit të organizuar, qeverisjes së mirë ekonomike dhe funksionimit të shtetit ligjor. Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, tha se Shqipëria është e angazhuar plotësisht në realizimin e pesë prioriteve të përcaktuara bashkërisht me Bashkimin Europian. Në takimi u vlerësua lart politika konstruktive e Austrisë dhe Parlamentit Austriak në mbështetje të proceseve demokratike në Shqipëri dhe rajon, si dhe mbështetja e pakursyer në drejtim të bashkimit të këtyre vendeve me Bashkimin Europian. Znj. Dade vuri në dukje rëndësinë që ka përfshirja e Kosovës në agjendën e bashkëpunimit rajonal. Duke njohur rolin e Austrisë në rajon, znj. Dade ftoi z. Cap të marrë pjesë në takimin e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Punët e Jashtme te vendeve anëtare të SEECP që do të zhvillohet nën drejtimin e saj, në Tiranë, më datë 13 Mars 2015.