Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 19/02/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare, për të miratuar disa projektligje të rëndësishme në fushën e ekonomisë. Fillimisht deputetët shqyrtuan projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” të ndryshuar. Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu u shpreh se ndryshimi i kontratave të biznesit vendas dhe të huaj, po krijojnë pasiguri tek investitorët, ndërsa tha se të dhënat ekonomike janë shumë shqetësuese dhe alarmante.

“Qeveria synon ndrydhjen dhe kontrollin ekonomik të shoqërisë shqiptare. Çdo kryeministër ka të drejtën e tij, por asnjë nuk fillon nga hiçi, siç deklaron qeveria, sepse nga hiçi del hiçi. Situata po shkon drejt krizës. Ndryshimi i kontratave të biznesit vendas dhe të huaj, po krijojnë pasiguri tek ta, të dhënat ekonomike shumë shqetësuese dhe alarmante. Të dhënat e INSTAT-it, tregojnë se ekonomia shqiptare nuk po shkon në drejtimin e duhur. Është krijuar një borxh i ri për biznes, borxhi publik është në rritje. Pagat reale 6% më të ulëta se vitit i kaluar. Niveli i papunësisë është rritur më shumë se 3%. Shqipëria po shkon drejt recesionit. Nëse QKR e QKL nuk harmonizohen në një paketë të përbashkët për biznesin, Shqipëria s’ka për të ecur në drejtimin e duhur, por do të shkojë drejt recesionit, do të rritet papunësia”, tha z. Mediu.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj tha se qeveria ka ndërmarrë reforma shtyllë në përmirësimin e klimës së biznesit në tatim taksa, makroekonomi, pensione, reformën territoriale të materializuar në indeksin e besimit të sipërmarrës, etj. Z. Ahmetaj ftoi opozitën të kontribuonte me propozime konkrete për indikatorët e raportit “Doing biznes”, raport ky prestigjioz që tregoi se jemi në vendin e 108 me në përmirësim prej 40 vende.

“Banka e Shqipërisë ka qenë dhe është e pavarur dhe raporti i saj është referencë për ne, qoftë kur del mirë, qoftë kur del keq. A mund të kujtoj se në 2005, rritja ekonomike ka qenë 6.5% ndërsa në 2013-ën, ka qenë 1.5%. Arsyeja është politika juaj, taksa e sheshtë, klima e biznesit etj. Çfarë janë 726 milionë USD që ju ia morët me dhunë biznesit, klimë e mirë? Vetëm në 2014-ën, ne kemi kthyer mbi 400 milionë USD që të përmirësonim klimën e biznesit. Nuk është e rastësishme që nga B Negativ ne kaluam me B pozitiv. Dhe në botën tonë, B pozitiv ende nuk është aty ku duhet. Për herë të parë në 2014-ën, në Shqipëri u importuan makineri e pajisje në vlerën 1.1 miliardë USD”, tha z. Ahmetaj.

Në emër të Grupit parlamentar të PD-së, znj. Jorida Tabaku, u shpreh se forca që ajo përfaqëson është dakord në parim me miratimin e një projektligji tillë. “Në emër të Partisë Demokratike jemi në mbështetje të ligjit për “Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, sepse ka lidhje me përafrimin e legjislacionit tonë me legjislacionin e BE-së dhe së fundmi, sepse vazhdon me përmirësimin e disa procedurave të të bërit biznes në Shqipëri”, tha znj. Tabaku, duke shtuar se ekonomia shqiptare është në rënie.

“Taksa e sheshtë nga 10% në 15% dhe e gjithë kjo taksë ka shkuar në xhepat e shtetit, asnjë vlerë e shtuar në ekonomi. Por, bëma e fundit ishte, kur para disa ditësh, dëgjuam se Shqipëria është lider në rajon, por nuk është e vërtet. Të gjithë treguesit dëshmojnë të kundërtën. Ky është një vend me rënie ekonomike, me papunësi, kriminalitet, një vend ku sundon ligji i kryeministrit”, tha më tej znj. Tabaku. Projektligji u miratua me 77 vota pro, një kundër dhe 34 abstenim.

Më pas, anëtarët e Kuvendit vijuan me diskutimin e projektligjit, “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Deputeti i Partisë Demokratike, z. Helidon Bushati u shpreh se në forcat e armatosura po promovohen vetëm persona të lidhur me politikën, në vend që të vlerësoheshin aftësitë e tyre profesionale.

“Sot ka dy ligje të përgatitura që në kohën e qeverisë “Berisha, si ligji për QKR-në dhe ligji për medaljet. Sidoqoftë është një eufemizëm diskutimi për ligjin për medaljet dhe në situatën ku ndodhemi. Pak muaj më parë, keni bërë një promovim të pafund të ish-bllokmenëve apo të ish-sigurimsave. Problemi i vetëm është se meqë ju promovoni njerëzit tuaj, më vjen keq që ata ish pronarë apo ish të persekutuar gënjehen nga mashtrimet tuaja, pasi po promovoni vetëm ish- bllokmenë”, tha z. Helidon Bushati, ndërsa solli në vëmendje largimin nga Forcat e Armatosura të z. Dritan Demiraj. Sipas tij, Ministria po ndjek standarde të dyfishta, pasi ky dikaster nuk ka marrë masa të njëjta edhe për 300 ushtarakë që janë larguar nga territori shqiptar dhe nuk kanë pasur asnjë masë disiplinore.

Deputeti i Partisë Socialiste, z. Arben Çuko vlerësoi se tashmë medaljet do të shoqërohen edhe me një shpërblim monetar. “Dua të them se ky motivim nuk është vetëm moral, por këto dekorata shoqërohen dhe me shuma të konsiderueshme. Para disa ditësh qeveria ka nxjerrë edhe një vendim që rrit masën e shpërblimit për forcat e armatosura për ushqimin që ju ia hoqët. Është detyra jonë që t’u japim mbështetje forcave të sigurisë së këtij shteti, si Forcave të Armatosura dhe atyre të Policisë”, tha z. Çuko. Projektligji u miratua me 109 vota pro dhe 1 kundër. Krahas kësaj Kuvendi miratoi me 104 vota pro dhe 2 abstenim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr 112/2013 “Për Dekoratat, Titujt e Nderit, Medaljet dhe Titujt Vendor të Nderit në Republikën e Shqipërisë”.

Deputetët vijuan me diskutimin e Dekretit nr. 8899, datë 16.01.2015 “Për kthimin e ligjit nr. 181/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.

Deputeti i Partisë Demokratike z. Edmond Spaho tha se ndryshimet e propozuara bien ndesh me nenin 166 të Kushtetutës, ndërsa ftoi deputetët që të votojnë dekretin e Presidentit. “Ligji duhet të respektojë Kushtetutën, ku shprehet se borxhi merret me autorizim me ligj nga Kuvendi. Në parim pranuam fleksibilitetin e huamarrjes. E vetmja mënyrë është ndryshimi i nenit 166 të Kushtetutës. Projektligji paraqet lehtësira me procedurat, por rrezikon rritje të borxhit pa kufi, vetëm me firmë të ministrit. A është e udhës? Përgjigjja është jo, nuk është e përgjegjshme se nuk ka program. Nëse do të lihet e lirë do të rrisë borxhin pa parë përfitime nga huamarrja. Problemi real nuk është mungesa e fleksibilitetit, por paaftësia për të drejtuar ekonominë dhe vendin“, tha z. Spaho.

Ndërsa, deputeti i Partisë Socialiste, z. Anastas Angjeli u shpreh se argumentet e Presidentit të Republikës nuk qëndrojnë, ndërsa theksoi se ligji është Kushtetues. “Dekreti lidhet me një projektligj i cili fokusohet në një çështje të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë, siç është borxhi. E domosdoshme për një përsosje të re ligjore dhe procedurale dhe mënyrën se si do të përdoren këto. Në relacionin e dekretit pretendohet se ligji nuk është transparent dhe i jep legjislativit mundësinë për borxh të pakufizuar dhe se është anti-kushtetues. Së pari është adresuar që të jepte me shkrim qëndrimi i Komisionit të Ligjit dhe Komisionit Kushtetues, që vlerësuan se projektligjin nuk shkel Kushtetutën. Ky nuk është i vetmi i ligj nuk merret me standardin e tregjeve”, tha z. Angjeli.

Ministri për Financat, Shkëlqim Cani, tha se ligji i buxhetit e ka të përcaktuar nivelin maksimal të borxhit dhe qeveria do ta respektojë atë, dhe shtoi se përmes këtyre ndryshimeve synohet përmirësimi i kuadrit ligjor shqiptar lidhur me huamarrjen për ta përshtatur me kërkesat e vendit, por edhe në raport me kuadrin ligjor ndërkombëtar. “Ligji nuk mund të rrijë statik i të metave të së shkuarës. Duam të ulim koston e huamarrjes, sepse ky popull nuk e meriton të paguajë kosto të larta për borxhin publik”, deklaroi z. Cani. Dekreti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë u rrëzua me 75 vota kundër dhe 40 pro.

Seanca vijoi më pas me shqyrtimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe, ndërmjet vendeve të Europës juglindore për zbatimin e Konventës “Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekst ndërkufitar”. Në fjalën e tij, deputeti i PS-së z. Besnik Bare tha se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme e cilat duhet të ratifikohet nga parlamenti shqiptar.

Me 102 vota pro, Kuvendi miratoi projektvendimin “për krijimin e komisionit të posaçëm parlamentar për zbatimin e problematikës në rezolutën për marrëveshjen midis maxhorancës qeverisëse dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë”.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 18.55.