Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton një marrëveshje të rëndësishme

  • Postuar më, 18/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen shoqërore”.

Të pranishëm në mbledhje ishin Astrit Kuka, Drejtor i Pagave dhe Pensioneve në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Astrit Hado, Zëvendësdrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në fjalën e saj, relatorja e projektligjit, znj. Silva Caka theksoi se kjo është një marrëveshje e rëndësishme për emigrantët shqiptar, pavarësisht se numri i tyre në Luksemburg nuk është shumë i ndjeshëm dhe kërkoi që projektligji të votohet në unanimitet. “Kërkoj që votimit të jetë unanim pasi në princip këto janë marrëveshje që ndihmojnë emigrantët tanë në të gjitha vendet e Europës. Pavarësisht se numri i emigrantëve tanë në Luksemburg nuk është shumë i ndjeshëm, gjithsesi duhet ta votojmë në unanim këtë marrëveshje”,- tha znj. Caka.

Më pas deputetët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan në unanimitet projektligjin e ardhur nga Këshilli i Ministrave duke e kaluar atë për shqyrtim në seancë plenare.

Kjo marrëveshje konsiston në ofrimin e mbrojtjes, në aspektin e sigurimeve shoqërore e kujdesit shëndetësor, dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë me përfitime dhe të ardhura të punëtorëve në punësim. Gjithashtu, rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre, e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre të merret në konsideratë bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme.