Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një marrëveshje të rëndësishme

  • Postuar më, 18/02/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Islandës, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat”.

Marrëveshja ka si qëllim nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare dhe shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje luan një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko - tregtare, ku shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet. Rëndësia e këtyre marrëveshjeve po rritet vazhdimisht në kushtet e rritjes së aktiviteteve të biznesit të shoqërive shumëkombëshe dhe në kushtet e rritjes së vazhdueshme të lëvizjes së lirë ndërkombëtare të njerëzve, kapitaleve, mallrave e parave.

Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli e vlerësoi si të rëndësishme marrëveshjen për thithjen e investimeve të huaja dhe kërkoi që qeveria të hartojë një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarët e Komisionit miratuan me konsensus marrëveshjen.