Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me KESH dhe OSHEE lidhur me projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”

  • Postuar më, 18/02/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), lidhur me projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”. Të ftuar ishin administratori i KESH-it, Agron Hetoja, administratori i OSHEE-së, Adrian Çela si edhe përfaqësues nga këto të dy institucione.

Administratori i KESH-it, Hetoja gjatë fjalës së tij, vuri në dukje se, shumë shpejt pritet një performancë më e mirë nga ana e korporatës. Sipas tij, ligji i ri garanton një treg më likuid dhe transparent.

“Vetë ligji ka bërë parashikimet e duhura që të ndërtojë një platformë kur pjesëmarrësi do të ketë mundësi të vijë dhe të shkëmbejë energji në këtë platformë elektronike, ndërkohë dhe liberalizimi gradual i tregut do të duhet të mbështetet me bazë të dhënash me matës dhe me një platformë masash do të duhet të kruhet nga operatori i tregut, që praktikisht mbulohet sot nga OST-ja. Ligji i ri do t’i japë dhe do t’i ofrojë incentivat e duhura të gjithë pjesëmarrësve të tregut për të rritur performancën e tyre dhe për të garantuar një treg që është më likuid, më i qëndrueshëm dhe një treg ku aktiviteti dhe shkëmbimi bëhen me transparencë dhe më të hapura”, tha z. Hetoja.

Administratori i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare i pyetur mbi mosfunksionimin e TEC-it të Vlorës, sqaroi se po bëhet një studim për të mundësuar funksionimin e këtij investimi prej 110 milionë dollarësh përmes përdorimit të gazit.

Ndërsa administratori i OSHEE-së, Adrian Çela tha se projektligji për sektorin e energjisë kërkon një harmonizim interesash. “Të harmonizohen interesat e konsumatorëve e operatorëve. Do të nisim nga ndryshimet themelore, projektligji përcakton detyrat dhe detyrimet e operatorit”, u shpreh Çela.

Duke deklaruar se për herë të parë do të instalohen matësit inteligjentë të energjisë, z. Çela shtoi se ato pritet të shmangin humbjet në rrjet. “Ligji për energjinë synon krijimin e një tregu efiçent, ndërsa ndryshimi themelor është liberalizimi i tregut”, shtoi administratori i OSHEE-së.

I pyetur nga deputetët për rastet konkrete të mbifaturimeve të energjisë elektrike dhe masave të marra prej tij për të ndaluar këtë fenomen, z. Çela u përgjigj: “Për faturat në proces ankimimi nuk operohet me pagesën. Kemi evidentuar rastet dhe kemi marrë masa përkatëse. Në rastin e ndodhur në Laç, është larguar drejtori dhe faturistët”, shpresoi administratori i OSHEE-së.

Z. Çela tha se objektivi i kompanisë është që pas katër vitesh niveli i humbjeve të reduktohet deri në 21 %, që janë humbje teknike ndërsa për rrjetin e amortizuar nevojitet një investim prej 1 miliard eurosh.