Komisionin për Politikën e Jashtme miratoi një projektligj të rëndësishëm në fushën e mjedisit ndërkufitar

  • Postuar më, 17/02/2015

Komisionin për Politikën e Jashtme miratoi sot  projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe, ndërmjet vendeve të Europës juglindore” Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishin specialistë nga Ministria e Mjedisit, të cilët dhanë pikëpamjet e tyre lidhur me draftin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave. Në fjalën e saj, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme z. Arta Dade, e cilësoi këtë një projektligj të rëndësishëm për të gjitha çështjet që lidhen me projekte madhore ndërkufitare. “Ky projektligj konsiderohet i rëndësishëm në mënyrë të veçantë për të gjitha çështjet ndërkufitare që ne kemi, kryesish lidhur edhe me projektet madhore, në mënyrë të veçantë për makro- rajonin 2020. Kjo do të thotë që duhet  të respektojmë rregulla të caktuara në zona ndërkufitare, lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe gjithçka, projektet zhvillimore që do të kenë ndikim në mjedis”,- tha znj. Dade. Ndërsa z. Namik Dokle e cilësoi projektligjin mjaft të rëndësishëm, pasi vë në lëvizje zgjedhjen e një sërë problematikash ndërkufitare, që vendi ka me fqinjët e tij. “Për mua është gjë e mirë sepse i hap rrugë marrëdhënieve dypalëshe,  pasi dihet që kemi disa probleme, kështu që nga kjo pikëpamje, kjo është e rëndësishme. Sidomos çështja e ujërave është problematikë me fqinjët tanë. Kemi lumenj që na ndajnë me fqinjët, kemi liqene që na ndajnë me fqinjët”, tha z.Dokle. Z. Kastriot Islami në fjalën e tij ngriti si çështje përfshirjen e Kosovës në këtë marrëveshje, kurse kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme theksoi se sot është dita e pavarësisë së Kosovës dhe se komisioni do të vijojë të punojë për përfshirjen e shtetit kosovar në të gjitha marrëveshjet rajonale dhe më gjer. Më pas deputetët u shprehën pro projektligjit duke e miratuar atë.