Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton një projektligj të rëndësishëm në fushën e informacionit të klasifikuar

  • Postuar më, 17/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Rumanisë, për mbrojtjen e ndërsjellët të Informacionit të Klasifikuar”.

Të ftuar për të diskutuar projektligjin ishin përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Marsida Fetishi, juriste dhe Enton Sadiku, përgjegjës sektori.

Relatori i projektligji, z. Blendi Klosi në fjalën e tij theksoi se projektligjit është në përputhje me procedurën dhe i propozoi deputetëve që ta miratojnë dhe ta kalojnë për votim në seancë plenare. “Me atë çfarë  gjendet nga ana ligjore dhe procedurale mendoj se është në përputhje me ligjin përkatës, me raportet apo me marrëdhëniet ndërmjet institucioneve në administratën publike shqiptare që ngrenë këtë raport. Dhe po ashtu ka një qëndrim pozitiv që nga Ministria e Jashtme, nga institucionet që kanë të bëjnë me informacionin e klasifikuar. Në këto kushte i propozoj komisionit në cilësinë e relatorit, miratimin e këtij ligji dhe kalimit për votim në seancë plenare”,- tha z. Klosi.

Më pas deputetët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e miratuan projektligjin në parim dhe në tërësi duke e kaluar për shqyrtim në seancë plenare.